E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maji, muaji i kongreseve elektorale

Muaji maj shënon një axhendë të ngjeshur për partitë politike në prag të zgjedhjeve të qershorit. Deri në mes të këtij muaji, partitë do të mbledhin strukturat më të larta, kongreset, për të marrë vendimet e fundit që i takojnë fushatës dhe zgjedhjeve të 28 qershorit. Pavarësisht afrimit të garës zgjedhore, afateve kohore për dorëzimin e listës së kandidatëve, dy partitë e mëdha do të shfrytëzojnë në maksimum kohën që kanë në dispozicion për të mbledhur strukturat e për të marrë vendime të rëndësishme, siç janë programet elektorale dhe ekipet e kandidatëve që do të garojnë. Brenda datës 10 maj, Partia Socialiste pritet që të zhvillojë kongresin për të shpallur premtimet dhe bilancin e keqqeverisjes, ndërsa dy javë më vonë, në 23 maj në Kongresin e PD-së, selia blu do të paraqesë sukseset e qeverisjes katërvjeçare dhe sfidat për katër vitet e ardhshme. Datat nuk janë përfundimtare, pasi partitë synojnë që të mos kenë përplasje mes tyre për shkak të sallave. Kryesisht, kongreset e partive zhvillohen te Pallati i Kongreseve, për shkak të kapaciteteve që ai ka, ndaj stafet organizatore të këtyre partive i kanë dhënë përparësi edhe këtij detaji.

Kongresi elektoral i PD-së

Partia Demokratike do t‘i vendosë pikat mbi "i" për zgjedhjet e 28 qershorit brenda muajit maj. Demokratët kanë zgjedhur Pallatin e Kongreseve për të mbajtur kongresin elektoral të PD-së, duke caktuar datën 23 maj si ditën e madhe për të shpalosur programin elektoral. Burime pranë selisë së demokratëve bëjnë me dije se brenda 15-ditëshit të dytë, demokratët do të mbajnë kongresin i cili do të shoqërohet me spektakël. Në kongresin elektoral të PD-së do të konfirmohen kandidaturat zyrtare për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit. Ndryshe nga viti 2005, kur Partia Demokratike ndodhej përballë provës më të vështirë, asaj të ekzistencës, në 2009-ën do të paraqesë bilancin e premtimeve gjatë katër viteve në pushtet. Në fillim të fushatës zyrtare elektorale, Partia Demokratike ndodhet në prag të përmbylljes së listës së ekipit elektoral. Në fakt, partia më e madhe e mazhorancës, i është nënshtruar garës së brendshme të saj për zgjedhjen e kryetarëve të degëve. Pas përfundimit të procesit në 12 degët e vendit, do të mbahet mbledhja e këshillit kombëtar të PD-së, e cila do të përcaktojë koordinatat nëpër të cilat do të kalojë kongresi elektoral, i cili pritet të zhvillohet pa u hapur fushata dhe ku do të konfirmohen zyrtarisht kandidaturat e reja për deputetë.

Në kongresin elektoral do të vendoset për programin e partisë dhe linjat kryesore të politikës së saj, të cilat janë bazë pune për të zgjedhurit e PD-së në nivel qendror e lokal, si dhe për pushtetin ekzekutiv të drejtuar prej saj. Duke iu referuar statusit të Partisë Demokratike, paraqitja e kandidaturave për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë konsultohen nga gjithë anëtarësia e PD-së. Kryesia e nëndegës formulon propozimet në emër të saj, sipas procedurave të përcaktuara nga kryesia e PD, dhe ia paraqet kryesisë së degës. Kryesia e Partisë Demokratike ka të drejtën e ndërhyrjes sa herë që e sheh të domosdoshme.

PS

Deri në datën 10 maj pritet që Partia Socialiste t‘i japë fund mbledhjes së strukturave vendimmarrëse të saj që nisin me kryesinë dhe përfundojnë me kongresin, i cili këtë herë ka karakter elektoral, si organi më i lartë i kësaj partie. Paraprakisht, në fund të muajit prill dhe nga fillimi i muajit maj pritet të mblidhet kryesia e kësaj partie e mandej Asambleja Kombëtare. Në mbledhjen e të gjitha këtyre strukturave do diskutohet programi qeverisës, aleancat e PS-së me partitë të tjera brenda së majtës dhe së fundmi një detaj i rëndësishëm: ekipi me të cilin ajo do të garojë në zgjedhjet e 28 qershorit. Burime nga selia rozë konfirmuan se "brenda datës dhjetë maj pritet të zhvillohet kongresi elektoral". Por data nuk është një vendim përfundimtar. Ajo pritet që të miratohet në mbledhjen e strukturave të tjera vendimmarrëse, siç është AK-ja, për ta zyrtarizuar atë. Ndërkaq, meqë bëhet fjalë për kongres elektoral dhe ka një rëndësi të veçantë, ai mund të zhvillohet për dy ditë radhazi. Në bazë të statutit të PS-së, kongresi i kësaj partie, si organi më i lartë vendimmarrës, ka të drejtë të miratojë programin dhe statusin e partisë. Sipas nenit 22 të statutit, kongresi ka përparësi në miratimin e programit të saj, ndërsa duke qenë se ai ka karakter elektoral, pritet që në atë të jenë të gërshetuara prezantimi i kandidatëve, mesazhet politike të kryetarit të partisë, të figurave të rëndësishme të së majtës, por edhe të shoqatave apo komuniteteve shqiptare në emigracion. Burimet saktësuan se stafi është duke punuar për organizimin, pa harruar këtu edhe detaje të "spektaklit". Kongresi do t‘u japë fund përgatitjeve paraelektorale të PS-së dhe do të shënojë nisjen e fushatës së vërtetë për zgjedhjet e qershorit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›