E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: Reagimi i Topallit, brutalitet provincial

Valentina Leskaj konfirmoi dje se po shqyrtohet mundësia e mocionit për shkarkimin e kryeparlamentares Jozefina Topalli. Në cilësinë e kryetares së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ajo denoncoi qëndrimin e Kryetares së Kuvendit, ndaj dekretit të Presidentit të Republikës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. "Ne prisnim nga Jozefina Topalli reflektim, lidhur me këtë çështje, reflektim që do të çonte jo në brutalitetin provincial, që u shpreh në deklaratën e bërë dje përmes zëdhënëses për shtyp, po në zgjidhje", vlerësoi Leskaj.

Deklarata

Në të kundërt, shtoi ajo, Kryetarja e Kuvendit nuk bëri asgjë transparente lidhur me veprimet e saj në këtë deklaratë. Kjo, tha Leskaj, e bën edhe më të paqartë e natyrisht edhe më të kompromentuar procesin. Drejtuesja e deputetëve socialistë citoi Kushtetutën në nenin 136 ku thuhet se "anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit". Sipas Leskajt, dhënia e pëlqimit nuk do të thotë mbledhja e të dhënave për kandidatët, nuk do të thotë kërkim i provave të pafajësisë, nga Kryetarja. Ndërsa shtoi se ky veprim i saj është në kundërshtim të hapur me ligjin dhe se pritej distancim e jo heshtje fajësuese nga Sali Berisha gjithashtu. Partia Socialiste konstaton se shkelja e të drejtave themelore të njeriut dhe cenimi i personalitetit që ka ndodhur në rastin e 5 kandidatëve, të dekretuar nga Presidenti i Republikës, bëhen më të rëndë kur këto të vepra kryhen nga Kryetarja e Kuvendit dhe për një dekret të Presidentit të Republikës. "Natyrisht, kjo bëhet e frikshme për qytetarët e pambrojtur", insistoi Leskaj. Grupi Parlamentar i socialistëve ka vlerësuar nevojën e reformave në vend dhe për këtë është bërë iniciues i paktit për reformat në drejtësi, por sipas Leskajt, reformat humbasin vlerën kur vazhdon presioni për të kapur institucionet e pavarura, kur nuk respektohet pavarësia e tyre. Selia rozë siguron se nuk bën pakt për pakt po një reformë serioze që garanton pavarësinë e drejtësisë, që përmirëson cilësinë e sistemit të shërbimit të qytetarëve. "Ne presim votimin e dekreteve të Presidentit dhe po vlerësojmë idenë e mocionit për shkarkimin e Jozefina Topallit si Kryetare e Kuvendit", u shpreh Leskaj.

Debati

Mbarimi i mandatit të disa prej anëtarëve të Gjykatës së Lartë shërbeu si objekt sherri mes Presidencës dhe Kuvendit. Kreu i shtetit disa ditë më parë firmosi dekretimin e anëtarëve zëvendësues, duke nisur emrat drejt Kuvendit. Në këtë institucion ende nuk është bërë kalimi për në seancë i këtyre emrave. Në Kushtetutë thuhet se anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Njëri nga anëtarët emërohet kryetar sipas procedurës së parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni. Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë qëndrojnë në detyrë për 9 vjet pa të drejtë riemërimi. Gjyqtarët e tjerë emërohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjyqtarë mund të jenë vetëm shtetasit me arsim të lartë juridik. Kushtet dhe procedura e zgjedhjes caktohen me ligj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›