E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i PD: Fillon fushata, deputetët në zona

Deputetët e djathtë lënë mënjanë pushimet dhe zbarkojnë në zonat e tyre elektorale. Urdhri për nisjen e fushatës, por edhe për përgatitjen e terrenit lidhur me turin e Kryeministrit Berisha "Shqipëria në NATO" ka dalë nga selia blu. Nisja e fushatës elektorale të PD-së është pranuar edhe nga sekretari organizativ i Partisë Demokratike, Flamur Noka. Megjithëse një pjesë e deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë së PD-së kanë kërkuar që turi të nisë në shtator, Kryeministri Berisha nuk është ndalur përpara asgjëje dhe ka nisur në mënyrë urgjente turin nëpër Shqipëri, duke marrë pas vetes edhe deputetët e zonës. Një pjesë e kryesisë nuk shprehet dakord me faktin që fushata të nisë vetëm me inaugurime rrugësh, duke kërkuar më shumë dinamizëm në nisjen e saj. Këtë fundjavë kanë udhëtuar nëpër zonat e tyre, deputetë dhe ministra. Ministri dhe deputeti i PD-së, Jemin Gjana, është nisur drejt Kukësit, Aldo Bumçi niset drejt Lezhës, përpos faktit që Kryeministri i zhvilloi më parë vizitat e tij në këtë zonë. Edhe për Beratin, ku kreu i qeverisë ishte gjatë javës që kaloi, struktura e PD-së ka angazhuar Ferdinand Ponin, i cili organizon takime me strukturën e partisë në këtë qytet. Gjatë kësaj jave pritet që të vizitojë Durrësin edhe deputeti dhe ministri Gazmend Oketa. I njëjti angazhim i ka kushtuar edhe strukturës së PD në qytetin bregdetar të Vlorës, ku Kryeministri pritet të zhvillojë vizitën e radhës. Pra, në dukje të parë, Partia Demokratike ka ndezur të gjithë motorët për t‘i bërë ballë fushatës elektorale të vitit 2009. Takimet në rrethe do të përqendrohen në dy drejtime kryesore. Së pari, në rifreskimin e strukturave dhe fillimin e përgatitjeve për t‘u paraprirë masave që do të merren për zgjedhjet e 2009-ës dhe së dyti në reklamimin e punës trevjeçare të qeverisë. Grupet e punës që janë ndarë sipas zonave elektorale do të fillojnë axhendën e planifikuar të takimeve që do të jetë intensive për gjatë gjithë verës për të përcjellë mbi të gjitha në bazë punën e deritanishme të qeverisë. Urdhri i dalë nga selia blu është që i gjithë elektorati i djathtë duhet të jetë në dijeni të asaj çka qeveria po bën, ndaj dhe është kërkuar që takimet të përqendrohen kryesisht në këtë drejtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›