E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: Reforma zgjedhore në komisionin e Ligjeve

Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj tha dje se, diskutimi për reformën zgjedhore do të zhvillohet në komisionin e Ligjeve. 

aristir lumezi

Sipas saj, mandati i komisionit për Reformën Zgjedhore i ka mbaruar mandati. "Natyrisht që nuk mund të ketë diskutime në një komision, të cilit i ka mbaruar mandati, pra që nuk ekziston më, pra do të thotë që mënyrat që do të diskutohen propozimet mbetet për t'u parë". Sipas saj, "mbetet që draftet për këtë reformë të diskutohen në komisionin e Ligjeve të Kuvendit". Idesë së disa partive të vogla për të vendosur një prag elektoral kombëtar të njëjtë për të gjitha rajonet, Leskaj i përgjigjet me pragun natyral që vetë sistemi proporcional rajonal vendos. "Pozicionin e disa të vegjëlve për aplikimin e një pragu kombëtar elektoral, sipas Leskajt, e përjashton vetë sistemi gjë që përkthehet në zbatimin e pragut natyror në të 12 rajonet". "Mendoj që çështja e pragut është i qartë në sistem, është i përcaktuar si prag natyral", tha Leskaj. Por nuk ndajnë të njëjtin mendim përfaqësuesit e partive të tjera opozitare. Kreu i PAD-së Neritan Ceka shprehet se për reformën zgjedhore kërkohet një komisionin i posaçëm parlamentar, por me bashkëkryetarë të rinj me përbërjen e të gjitha partive parlamentare. Ndërsa në lidhje me pragun elektoral që duhet të aplikohet me sistemin proporcional rajonal, Ceka shprehet se, duhet që zonat zgjedhore të jenë të balancuara me zgjedhës të barabartë. Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili shprehet, për një prag të barabartë qoftë rajonal apo kombëtar. Sipas tij, pragu natyral që vendosin dy partitë e mëdha do të çojë në një dushk të ri. Duket se kontradiktat mes PS-së dhe partive të tjera opozitare do të vazhdojnë dhe për reformën zgjedhore, e cila do të detajohet në draftet që po përgatisin dy kampet kryesore PS-PD.
Reforma
Përmes një pyetësori, selia rozë ka marrë sugjerimet e juristëve të njohur për reformën zgjedhore, e cila në këtë moment ka të bëjë me çështjet teknike dhe administrative të saj. Sekretariati për çështjet ligjore në selinë rozë, ka shpërndarë në mënyrë konfidenciale një pyetësor, duke i kërkuar juristëve të njohur të japin mendimet e tyre mbi bazën e disa alternativave se si duhet bërë reforma zgjedhore dhe çfarë veçorish ajo duhet të ketë. Që në fillim të tij, shtrohet pyetja nëse Kodi aktual duhet amenduar apo duhet hartuar një Kod i ri Zgjedhor. Duke kërkuar mendime për administratën zgjedhore, socialistët kërkojnë mendimin e ekspertëve për kompozimin e KQZ-së, nëse ajo duhet të jetë një organ permanent apo i pjesshëm. Por ajo që bie në sy, sa i takon çështjes së rindërtimit të KQZ-së, është varësia e saj. Propozimi i socialistëve, për të cilin kërkon dhe mendimin e juristëve, është që KQZ-ja mund të mos jetë një organ më vete, por ai mund të jetë edhe i varur nga Kuvendi, apo dhe nga Ministria e Brendshme. Por bashkëkryetari i komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, mandati i të cilit ka përfunduar, Kastriot Islami, është shprehur se angazhimi i PS-së është maksimal që reforma zgjedhore të përfundojë para mbylljes së punimeve verore të Kuvendit. Sipas tij, "tashmë reforma pritet të kalojë në aspektin ligjor, sepse konceptimi i saj përmes përcaktimit të sistemit zgjedhor është i qartë, nëpërmjet amendamenteve kushtetuese". "PS ka tashmë një platformë të qartë dhe për më tepër me një përcaktim kushtetues. Një grup i rëndësishëm juristësh po e detajojnë dhe po e përkthejnë atë në nene, që do të pasqyrohen në kodin zgjedhor", tha Islami. Për këtë qëllim, vijoi ai, të gjithë mekanizmat parlamentarë janë prezentë dhe në momentin që do të jenë të gatshme këto përcaktime, përmes neneve ligjore, parlamenti shqiptar do të realizojë ndryshimet në kodin zgjedhor dhe plotësimin e asaj që quhet reformë zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›