E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Situata në shëndetësi është tepër alarmante”

“Gjendja mjerane e shëndetësisë shqiptare po detyron të largohen jashtë truri profesional i këtij shërbimi, duke bërë njëkohësisht edhe gjeneratën e re pesimiste, pasi ata nuk mund të qëndrojnë të punojnë në një spital të prapambetur”. 

Kështu është shprehur kryetari i Komisionit të Mjekësisë pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim Sabit Brokaj në një tryezë të organizuar nga ky komision në hotel “Tirana”, për problemet e shëndetësisë. Ndërsa, sekretari i Përgjithshëm LSI-së, Petrit Vasili, u fokusua tek reformat në Shëndetësi, për të cilat ai u shpreh se: “Në vlerësimin e bërë nga specialistët e LSI-së për këtë sektor, vlerësohet se ato nuk mund të themi se kanë dështuar, por ato nuk kanë filluar ndonjëherë. Asnjë nga zyrtarët e sotëm nuk është në gjendje të veçojë një element që funksionon në këtë sistem”. Ndërsa, në lidhje me problemin e ndarjes së korrupsionit mes mjekëve dhe politikës, Vasili, u shpreh skeptik dhe theksoi se: “Duhet patjetër të bëjmë mënjanimin, por mesa duket është i paevitueshëm “Gërdeci” në shëndetësi”. Ndërsa mjeku Petrit Vargu, njëkohësisht dhe këshilltar në Këshillin Bashkiak, gjatë takimit tha se: “Tragjedia e Gërdecit tregoi se sistemi shëndetësor çalonte në shumë drejtime”. “Kur ndodhi tragjedia e Gërdecit, Berisha u mundua ta transmetojë si një sukses të tijin shërbimin shëndetësor, por në fakt është krejtësisht e kundërta. Pasi ai nuk kishte mjetet e nevojshme për të përballuar situatën që u krijua në spitalet e vendit. Mjekësia u gjend në një situatë pa rezerva gjaku, pra s’mund të flasim për një koordinim të grumbullimit të gjakut, që nevojitej për t’i ardhur në ndihmë të lënduarve në shpërthimin e 15 marsit. Por, ishin vetë qytetarët që vinin e dhuronin gjak për ta”, shpjegon Vargu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›