Leskaj: S'ka dallim mes Veriut dhe Jugut
17/02/2005 Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në Partinë Socialiste, Valentina Leskaj, ka hedhur poshtë deklaratat se tashmë mes Edi Ramës dhe përfaqësuesve të qeverisë ka një konflikt të madh. Sipas Leskajt, deklaratat që ka bërë Rama në turin e tij në veri të Shqipërisë, tregojnë se në Partinë Socialiste ka frymë demokratike. Ndërsa vetë deklaratat e kreut të Bashkisë së Tiranës janë vlerësuar si një alternativë më shumë e socialistëve. Ndërsa në lidhje me deklaratat e deputetëve të opozitës, se socialistët mbajnë një qëndrim diskriminues për qytetet e Veriut, Leskaj thekson se kjo nuk është absolutisht e vërtetë. "Nuk besoj që PS ka bërë dallim mes Veriut dhe Jugut", tha Leskaj, në një prononcim të saj. Ajo thekson se PS do të paraqesë një strategji të plotë për zhvillimin e vendit, ku nuk ka asnjë diskriminim për zona të Shqipërisë.