Meta takohet me kreun e Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin
17/02/2005 Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Ilir Meta, po zhvillon këto ditë një takim me Komisionin Ndërkombëtar për Ballkanin, në Berlin të Gjermanisë. Ky komision, që kryesohet nga ish-kryeministri i Italisë, Xhuliano Amato, në përbërje të të cilit marrin pjesë shumë personalitete të njohura nga BE, SHBA dhe rajoni, vendosi që shumë shpejt të paraqesë pranë autoriteteve të BE-së në Bruksel një raport të plotë me sugjerimet e tij për zgjidhjen e problemeve dhe integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian. Ndërkaq, kryetari i LSI-së, Meta, zhvilloi disa takime me autoritete të larta edhe në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë dhe në Bundestagun gjerman. Gjatë takimeve, Meta ka shprehur shqetësimin për zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri, ndaj ai ka vlerësuar procesin e monitorimit të zgjedhjeve si një element i rëndësishëm. Gjatë qëndrimit në Gjermani, Meta pritet të zhvillojë disa takime dhe me emigrantët shqiptarë atje. LSI thekson se është e rëndësishme që dhe kjo pjesë e popullsisë shqiptare të ketë të drejtën e votimit.