E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj në Peqin: Korrupsioni qeveritar ka rritur varfërinë e shqiptarëve

Autori i Lajmit: red.
E majta dhe e djathta është shpërndarë në bazë në kërkim të votave për qeverisjen e vendit pas 28 qershorit. Kryetarja e Grupit Parlamentar, Valentina Leskaj është ndalur në Pajovë të Peqinit ku ka prekur një ndër temat më të rëndësishme për shqiptarët, varfërinë. Ajo pohoi se sot Shqiptarët janë më të varfër se katër vjet më parë edhe pse qeveria aktuale u kishte premtuar parajsën. Ajo pohoi se varfëria sot është më e madhe sepse çmimet e artikujve kryesor të jetesës janë më të larta dhe vazhdojnë të rriten, kostoja e transportit është më e lartë, kostoja e arsimimit është më e lartë, çmimet e ilaçeve janë më të larta por edhe energjia elektrike është më e shtrenjtë. Po kaq e rëndë shtoi ajo, është rritja e kostos për çdo fermer shqiptar nisur nga fakti çmimet e imputeve bujqësore janë sot 35 për qind më të larta. “Ne duam të integrohemi në BE po Shqipëria ka sot 2 herë më pak shtretër në spitale krahasuar me vendet që sapo kanë hyrë në BE e njerëzit duhet të venë me ilaçe me vete e shpesh me çarçaf e batanije. Ne duam të integrohemi në BE po politikat e subvencionimit të fermerëve janë shumë larg familjes ku duam të integrohemi madje jemi larg fqinjëve”, - tha ajo. Leskaj shtoi se Qeveria e sotme është e vetmja qeveri që në vend që të kujdeset që kriza të mos rëndojë jetët e njerëzve kujdeset për të fshehur pasojat e krizës. Një tjetër arsye që sipas saj ka ndikuar në varfërimin edhe më të madh të shqiptarëve janë skandalet qeveritare, si Gërdeci apo abuzimet e deklaruara nga KLSH. “28 Qershori është rasti i madh, për t i dhënë jetën që meriton çdo të riu, çdo gruaje, çdo pensionisti, çdo fëmije të këtij vendi, për t u dhënë shqiptarëve mirëqenien dhe respektin që meritojnë dhe ne do ta bëjmë këtë së bashku”, - tha ajo.
Ky lajm është publikuar: 16/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›