E Hënë, 2 Nëntor 2026

Letër e hapur: Braçe përgënjeshtron vetveten

17/05/2005  Lefter Maliqi

U njoha me akuzat e ngritura ndaj meje në RTSH dhe, natyrshëm, e quaj të domosdoshme t’i sqaroj ato publikisht, sidomos në kushtet kur ty të krijohen mundësitë dhe të vihet në dispozicion televizioni shtetëror. Ti edhe vetë je i bindur se gjithçka ndaj meje ka qenë intrigë, me synim që të më inkriminojnë, për shkak të qëndrimeve të mia që i kam bërë prezente jo vetëm në linjën shtetërore (deri te Presidenti), por edhe në median e shkruar dhe elektronike. Konkretisht, artikujt problematikë, që unë kam shkruar që prej vitit 1999 e në vazhdim janë botuar në gazetat “Shekulli”, “Korrieri”, “Zëri i Popullit”, “Sot”, “Republika” etj.

Që të mos zgjatem, po përmend artikullin tënd me titull “Ja si çthuret rendi”, botuar në gazetën “Zëri i Popullit”, datë 21.03.1999, ku ti Erjon, duke iu kundërvënë hapur ish-ministrit të Rendit, Petro Koçi, për qëndrimin e tij ndaj meje, ke thënë këto fjalë për mua: “Po kush është komisari Lefter Maliqi? Ai është vetëm 27 vjeç, i diplomuar në Akademinë e Rendit. Duhet të jetë ushtaraku më i ri në Shqipëri që mban gradën major; rezultatet e tij mund të përmblidhen: 100% zbulueshmëria e krimit dhe 100% goditja e tij; ka goditur trafikun e prostitucionit dhe e ka çuar Skraparin në vend të parë për sa i përket çarmatosjes së popullsisë”. Këto janë fjalët e tua Erjon, që shkojnë deri aty sa t’i thuash ministrit Petro Koçi se qëndrimi ndaj Lefter Maliqit është rezultat i asaj se unë nuk jam pjesë e klaneve. Gjithashtu, ti ke debatuar me ish-ministrin Spartak Poçi, kur më çuan në Shkodër, pas ngritjes së problemeve për krimin e organizuar në Lazarat. Këto janë fakte që nuk kanë nevojë për koment. Dua të vë në dukje se për problemet e kriminalitetit në Rrethin e Beratit, dhe përfshirjen në të të drejtuesve të lartë të policisë, njëri prej të cilëve, Ilirian Dida, po e vuan dënimin. Kam biseduar me ty si deputet i Beratit, me shqetësimin se përse nuk merreshin masa. Më ke thënë se Ilirian Dida mbrohej nga Gramoz Ruçi dhe Et'hem Ruka. Po kështu, kur kam kërkuar nga ti që të insistosh pranë ish-ministrit të Rendit, Luan Rama, për problemet që unë ngrija, më ke thënë se “çfarë të bisedoj më Luanin (Ramën)? Atë e kanë përjashtuar nga shkolla “Skënderbej” si hajdut.” Ndërsa tani ti shfaqesh me një fytyrë krejt ndryshe, gjë që mund të pritet nga ty, i përfolur deri në parlament si vjedhës xhepash nëpër autobusë. Në këto rrethana, gjykova i dëshpëruar që të largohesha për në Amerikë, ku isha para gati një viti. Ndaj, bëra kërkesë e u largova nga policia, dhe jo siç gënjen ti, se më hoqën.

Duke t’u drejtuar, po theksoj që për akuzat e tua duhet të publikosh dokumente që jam gjykuar e dënuar, dhe jo t’u mbash iso intrigave të kriminelëve, që po vuajnë dënimin, duke u bërë edhe vetë pjesë e tyre. Duke qenë se nëpërmjet personit tim ke sulmuar edhe LSI-në, po të them edhe nja dy fjalë. Partia juaj, që vetë e keni cilësuar kënetë, ku ti s’je bufi i kënetës, por një bëëzzz, një mushkonjë në kënetë, e ka kthyer gazetën “Zëri i Popullit” në një kënd fletë-rrufeje me fyerje dhe sharje. Ti je nga të rinjtë e vjetër të kësaj partie, nga më të infektuarit dhe bëhesh akoma më qesharak, kur akuzon të tjerët për korrupsion e të tilla gjepura, kur bota të tregon me gisht, si më të inkriminuarin e të korruptuarin në kontinent. Erjon, mos mendo se duke shpifur do të fitosh kredibilitet. Mua më njeh i gjithë populli i Beratit, se jam bir i tij. Edhe ty të njohin, siç njohin edhe firmën e ndërtimit “Kora”, pas së cilës fshihesh ti, duke e favorizuar e që i ka marrë të gjitha tenderat e zonës, ku ti kandidon. Po kjo është një çështje tjetër, që do ta shohim më vonë. Duke të uruar të mira, të sugjeroj të heqësh dorë nga veprime që e tensionojnë situatën zgjedhore, siç ndodhi herën e fundit, kur erdhe në zonë me një tabor me policë, apo me mesazhet kërcënuese që më dërgon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›