SHBA, mbështetje për ushtrinë shqiptare
17/05/2005 Ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, priti në një takim të veçantë zëvendësdrejtorin për Çështjet Politike dhe Ushtarake për Evropën, NATO-n, Rusinë dhe Afrikën në Shtabin e Bashkuar në Pentagon, admiralin Donald P. Loren. Vizita bëhet në kuadër të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes midis Shqipërisë dhe SHBA-së. Në takim mori pjesë edhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Marcie Reis. Ministri Majko e ka vlerësuar si të pazëvendësueshme ndihmën amerikane në procesin e reformave për ushtrinë në Shqipëri, e cila ka qenë shumëplanëshe dhe e domosdoshme për integrimin e Shqipërisë në NATO. Me asistencën e drejtpërdrejtë të kompanive dhe ekspertëve amerikane është kryer dhe po vazhdon të kryhet më tej procesi i transformimit dhe modernizimit në FA. Ministri Majko u shpreh se niveli i bashkëpunimit në fushën ushtarake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës po njeh progres dhe se po punohet dhe më tej për intesifikimin e këtyre marrëdhënieve, të cilat i konsideroi të shkëlqyera. Po dje, admirali Donald P. Loren u prit në një takim të veçantë nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneral-lejtnant Pëllumb Qazimi. Biseda midis dy ushtarakëve të lartë u përqëndrua në fushën e marrëdhënieve ushtarake midis dy vendeve dhe ushtrive tona, për pjesëmarrjen e trupave tona paqeruajtëse në operacionet ndërkombëtare si në Irak, Afganistan, Bosnje-Hercegovinë. Në këtë takim u diskutua edhe për ngritjen në një nivel më të lartë të marrëdhënieve midis Shtabeve të Përgjithshëm të të dy vendeve tona.