E Diel, 1 Nëntor 2026

Letër e hapur

23/12/2008  Drejtuar:

Zotit Genc Pollo, kryetar i reformimit të Akademisë së Shkencave

Zotit Teki Biçoku, kryetar i Asamblesë së RSH-së

Zotit Gudar Beqiraj, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të RSH-së

Anëtarëve të Asamblesë së Akademisë së Shkencave

Për dijeni, zotit Sali Berisha, Kryeministër i RSH-së

Kërkues: Kandidatë për anëtarë të asociuar të Akademisë së Shkencave të RSH-së

Lënda: Për një proces të rregullt ligjor në zgjedhjen e anëtarëve të asociuar të Akademisë së Shkencave të RSH-së

Tiranë, më 20.12.2008

I nderuar zoti Zëvendëskryeministër,

Të nderuar zotërinj,

Në cilësinë e kandidatëve për anëtarë të asociuar të Akademisë së Shkencave të RSH-së, ju përshëndesim dhe ju falënderojmë paraprakisht për marrjen në shqyrtim të kësaj letre, me anë të së cilës shprehim sa vijon:

Jemi informuar zyrtarisht se në procesin final që do të zhvillohet për votimin e kandidatëve për anëtarë të asociuar të Akademisë së Shkencave nuk do të ketë asnjë

përfaqësues të përzgjedhur paraprakisht nga fusha e shkencave ekonomiko-sociale, pasi është hequr nga fushat e konkurrimit. Ne gjykojmë se ky vendim është arbitrar dhe në kundërshtim me të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Ai ka shkelur parimin e sigurisë juridike, i cili përbën një nga parimet kryesore mbi të cilat ndërtohet shteti i së drejtës. Në lidhje me sa më sipër, nënvizojmë se fusha ekonomi-sociologji-drejtësi është një

fushë konkurrimi e shpallur nga Akademia e Shkencave në thirrjen që ajo ka drejtuar për paraqitjen e kandidaturave. Kjo thirrje është publikuar në faqen përkatëse të internetit të Akademisë së Shkencave dhe ende figuron aty. Eliminimi i saj nuk mund të kryhet në mënyrë të njëanshme. Nëse kishte shkaqe të përligjura objektivisht për ta bërë këtë, atëherë Akademia e Shkencave duhej të respektonte disa procedura. P.sh., ky vendim mund të ndërmerrej vetëm me miratimin e organeve drejtuese që përgatitën thirrjen për aplikime dhe me të njëjtën procedurë që kishin ndjekur për vendosjen e kësaj fushe. Nëse kjo do të ndodhte, ishte detyrimi ligjor i Akademisë që ky vendim i ri, së bashku me shkaqet që e detyruan organin kompetent për ta bërë atë, duhej të ishte publikuar sërish në internet, me qëllim që të respektoheshin parimi i transparencës dhe të gjitha parimet e tjera të sanksionuara nga Kodi i Procedurave Administrative të RSH-së. Mekanizmat e demokracisë institucionale nuk mund të lejojnë asnjë institucion, aq më pak një tempull të shkencës shqiptare, të veprojë pa rregullin dhe transparencën e duhur. Një vendim për eliminimin e fushës vetëm përpara garës finale, nuk mund të justifikohet me faktin se asnjë kandidat i kësaj fushe nuk përmbush kriteret. Në lidhje me këtë, çdo

kandidat vlerësohet individualisht nga një komision ekspertësh të fushës përkatëse dhe jo nga organet drejtuese administrative të Akademisë së Shkencave. Konkurrimi zhvillohet midis kandidatëve që kanë aplikuar dhe përzgjedhja kryhet nga radhët e tyre. Ne jemi

vënë në dijeni se grupet e vlerësimit pranë seksioneve kanë bërë vlerësimet përkatëse mbi bazën e recenzentëve dhe kanë vendosur një klasifikim midis radhëve tona. Madje,

ne rezervojmë të drejtën të njihemi me vlerësimin, pasi mbi atë bazë kemi të drejtën kushtetuese për ankimim. Tashmë etika institucionale dhe standardet evropiane e

kërkojnë që ky vendim i ekspertëve të bëhet transparent apo të publikohet përmes faqes së internetit. Kjo duhet të ndodhë që jo vetëm kandidatët, por edhe publiku të njihet me të gjithë konkurrentët e përzgjedhur që do të votohen nga Asambleja. Sidoqoftë, një vendim i tillë nuk mund të na shpinte në asnjë rast në eliminimin e fushës konkurruese, por vetëm në përzgjedhjen e kandidatëve. Përndryshe ai do të ishte në kundërshtim me një proces zgjedhjeje të drejtë e të ndershëm.

Për sa më sipër, kërkojmë të rishikohet çdo vendim që përjashton nga votimi kandidatët e fushës ekonomi- sociologji-drejtësi nga gara përfundimtare.

Ju faleminderit!

Prof. dr. Aurela Anastasi

Prof. dr. Edmond Dragoti

Prof. dr. Esmeralda Muçi

Prof. dr. Ilia Telo

Prof. dr. Kosta Barjaba

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›