Leterme: Presim vendimin e komisionit
Kryeministri i Belgjikës, Iv Leterme, deklaroi dje se vendimi për liberalizimin e vizave të shqiptarëve nuk do të ishte një vendim politik, por theksoi se do të ishte Komisioni Europian që mbi faktet e vendit do të merrte vendimin. Leterme, i cili është kreu i qeverisë së vendit që do të marrë presidencën e radhës së Bashkimit Europian më 1 korrik theksoi se përgjegjësia për këtë vendim i takon Komisionit Europian. “çështja e liberalizimit të vizave është një vendim që nuk do të jetë politik, por, ky vendim do të merret mbi faktet që do të shtrojë Komisioni Europian”, theksoi Leterme, se marrja e këtij vendimi brenda këtij viti varet nga vlerësimi i ekspertëve. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë së Belgjikës nuk dha asnjë koment në lidhje me situatën politike në vend, ndonëse theksoi se Ministria e Jashtme belge po e ndjek situatën dhe nga ana tjetër ai vetë kishte pasur kontakte të ngushta me Kryeministrin Berisha.
#