E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, një vdes shtatë plagosen

Bilanci tragjik i tri ngjarjeve në Lushnjë, Elbasan dhe Devoll

Një i vdekur dhe shtatë të plagosur është bilanci i tri aksidenteve rrugore në Devoll, Elbasan dhe Lushnjë. Sipas raporteve të policisë, një i moshuar ka humbur jetën në orët e vona të së premtes në aksin rrugor Berat–Lushnjë, në afërsi të Fiersheganit. Aksidenti ka ndodhur në kohën kur i moshuari Hysni Musaka po kalonte në krahun tjetër të rrugës dhe një mjet me targa të Tiranës e ka përplasur fort, duke i marrë edhe jetën. Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit dhe e ka marrë atë në pyetje në lidhje me rrethanat e ngjarjes. Ende nuk janë përcaktuar shkaqet e këtij aksidenti që çoi drejt vdekjes 70-vjeçarin nga Krutja e Lushnjës.

Ndërsa në Lushnjë aksidenti i mori jetën të moshuarit, kanë qenë me fat dy emigrantë, të cilët mbetën të plagosur në një aksident rrugor në Kapshticë. Të rinjtë, që udhëtonin me një fuoristradë, janë rrëzuar sapo kanë lënë doganën, kur drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe në një nga kthesat e forta ka dalë nga rruga. Burime nga policia thanë se Algert Shaqolli, 32 vjeç, nga fshati Vidohovë dhe shoku i tij, Arlind Bektashi, 26 vjeç, nga fshati Rrëmenj i Pogradecit, janë transportuar për në Spitalin Ushtarak, pasi rezultojnë të plagosur rëndë. Të rinjtë ishin emigrantë në shtetin fqinj dhe u aksidentuan sapo hynë në territorin shqiptar. Sipas policisë, shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara.

Në një tjetër aksident në rrugën Librazhd–Elbasan, disa persona u plagosën pas përplasjes së dy mjeteve. Burime policore thanë se dje paradite, në vendin e quajtur Mirakë, rreth 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit, është regjistruar një aksident i rëndë automobilistik me pasojë plagosjen e pesë personave. Në këtë aksident u përfshinë një autoveturë tip “Golf” me targa TR 46 56 K, që drejtohej nga Fatos Gjoni, 48 vjeç dhe kamioni me targa TR 86 72 C, që drejtohej nga Fatmir Meçka, 45 vjeç. Si pasojë e përplasjes së mjeteve, ka mbetur i dëmtuar drejtuesi i autoveturës, bashkëshortja dhe vajza e tij, si edhe dy të afërm që udhëtonin me të. Sipas policë, të dëmtuarit Fatos Gjoni, 48 vjeç, Merita Gjoni, 45 vjeçe, Megi Gjoni, 18 vjeçe, si edhe bashkëshortët Dragush e Lumturi Toska, përkatësisht 60 dhe 59 vjeç, u dërguan me urgjencë në spitalin kirurgjik të Elbasanit dhe, sipas mjekëve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq policia ka shoqëruar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor drejtuesin e kamionit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›