Rezoluta e PE, shumë amendamente paralajmërojnë penalizime për vizat
Dështimi i iniciativës së deputetëve shqiptarë në nënshkrimin e një deklarate të përbashkët për çështjen e liberalizimit të vizave në mbledhjen ndërparlamentare BE-Shqipëri në fillim të majit, mund të dëmtojë rëndë dhe integrimin. Ky është lajtmotivi i dokumentit prej 86 faqesh, ku janë paraqitur 114 amendamentet e europodetetëve vetëm për Shqipërinë. Dokument i cili pritet të miratohet ditën e martë nga Parlamenti Europian. Rezultantja e këtij raporti shumë voluminoz është se në rast se dy palët në vend nuk gjejnë zgjidhje për krizën politike, atëherë Komisioni Europian duhet të marrë vendimin për ta ngrirë procesin e integrimit. Ky paralajmërim është thelbi i amendamentit që eurodeputetët socialdemokratë Adrian Severin dhe Victor Bostinaru kanë bashkëngjitur në draftin e rezolutës së reporterit për Shqipërinë, Nikolaos Chounties, që pritet të miratohet në datën 22 qershor. “Ne theksojmë se përkeqësimi i krizës politike në Shqipëri dhe sjellja e grupeve parlamentare në mbledhjen e parë të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit, BE-Shqipëri, i cili rezultoi një dështim në kuadër të adoptimit të një deklarate të përbashkët mund ta dëmtojnë procesin e liberalizimit të vizave. Ne kërkojmë që dy partitë politike të negociojnë pozitivisht për të tejkaluar krizën, duke theksuar se nëse një kompromis nuk gjendet Komisioni Europian duhet ta vendosë në pritje të gjithë procesin”, theksohet në amendamentin 31 të përgatitur nga nënkryetari i grupit socialdemokrat në PE, Severin dhe eurodeputeti Bostinaru. Por nga ana tjetër, në këtë amendament theksohet se përshëndetet progresi i bërë për liberalizimin e vizave dhe pret që Komisioni Europian të bëjë publike sa më shpejt një kërkesë për këtë çështje sa më shpejt të jetë e mundur. Po kështu, dy eurodeputetët kërkojnë që Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave të BE-së ta trajtojnë këtë çështje me emergjencë. Në këtë kuadër, ndonëse në rezolutën e Chounties kërkohet që liberalizimi i vizave për shqiptarët të konsiderohet si një çështje prioritare nga ana e institucioneve europiane, nëpërmjet amendamenteve që do të diskutohen të martën theksohen edhe kritere të veçanta që vendi duhet të plotësojë. Kështu, dy deputetët europianë të grupit të Lirisë dhe Demokracisë në PE, Fiorello Provera dhe Nikolaos Salavrakos në një amendament të tyre, theksojnë se është e rëndësishme që liberalizimi i vizave për Shqipërinë të kushtëzohet me progresin e shtetit ligjor dhe me krijimin e lehtësirave për investitorët europianë në Shqipëri. Kërkesa e komisionit duhet të kushtëzohet me progresin e shtetit ligjor dhe lehtësirat që do t’u krijohen investitorëve të huaj, për të cilin komisioni do të raportojë në mënyrë të veçantë”, deklarohet në amendamentin e dy eurodeputetëve. Por nga ana tjetër, në amendimet e bëra nga eurodeputetët për sa i përket liberalizimit të vizave, ka edhe qëndrime ekstreme si ai eurodeputetit holandez, Barry Madlener, i cili nuk i përket asnjë grupi parlamentar në PE dhe përmes një amendamenti thekson në mënyrë të qartë se “Shqipëria nuk është akoma gati për liberalizimin e vizave”. Por këto qëndrime janë të veçuara dhe ajo çfarë vihet re në të gjitha amendament për këtë çështje është dëshira për ta pasur liberalizimin si prioritet, por nga ana tjetër, ai kërkohet që të vijë pasi të plotësohen të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit të Komisionit Europian për lëvizjen e lirë të shqiptarëve.
#