E Hënë, 2 Nëntor 2026

Letërporosi në Itali për “korrierin” e 15 kg heroinë

13/03/2005  Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në dorë hetimin për tentativën e trafikimit drejt Italisë të afro 15 kilogramëve heroinë, mbrëmjen e dy ditëve më parë nga Porti i Durrësit. Burime panë Prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë dje për gazetën “Metropol”, se ka nisur hetimi lidhur me bashkëpunëtorët e mundshëm të 24-vjeçarit Edmond Tare, në serbatorin e autoveturës së të cilit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 15 kilogramë heroinë. Burimet sqarojnë se gjatë marrjes në pyetje, 24-vjeçari nga fshati Armadh i Manzës të rrethit të Durrësit, nuk ka dhënë detaje mbi bashkëpunëtorët e tij dhe destinacionin e drogës. Ndërkaq, mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda do t’i përcjellë letër-porosi drejtësisë italiane lidhur me materialet dhe informacionet e mbledhura ndaj të pandehurit dhe të dyshuarve të tjerë si bashkëpunëtorë. Kjo, pasi dyshohet që i pandehuri të jetë pjesë e një grupi të mirorganizuar të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Nga të dhënat paraprake dyshohet se droga ka pasur si destinacion veriun e Italisë dhe pikërisht tregun e Ankonas. Ndërsa vetë i arrestuari Tare ishte rezident në Breshia të Italisë, sqarojnë burimet. Ato shtojnë se nga verifikimet paraprake, nuk rezulton që 24-vjeçari të ketë pasur më parë precedentë penalë dhe ky fakt mund të jetë përdorur nga organizatorët e grupit për të pasur sa më të sigurt transportimin e heroinës. Sipas hetuesve, ai ka mbërritur në Shqipëri nga Italia më 16 shkurt dhe gjatë kësaj kohe dyshohet të ketë patur takime me personat që i kanë dhënë drogën. Ndërkaq, hetuesit e Krimeve të Rënda kanë dërguar për verifikim në kompanitë celulare kartën e telefonit të të arrestuarit, me qëllim identifikimin e personave me të cilët ai ka komunikuar më shpesh kohët e fundit në Shqipëri dhe Itali. Dhe pas identifikimit të të gjithë personave me të cilët ai ka biseduar në telefon, do të bëhet përjashtimi për ata që do të dalin jashtë çdo dyshimi për këtë trafik të narkotikëve. Mësohet të jenë siguruar informacione operative lidhur me personat që i kanë dhënë drogën në Shqipëri. Rreth orës 18.30 të mbrëmjes të së premtes, u bllokua për kontroll në pikën antidrogë në terminalin e trageteve automjeti "Opel" me ngjyrë të bardhë dhe me targa italiane BB 088 FC, i cili ishte duke u imbarkuar në tragetin “Riviera Del Conero”. Makina drejtohej nga 24-vjeçari Edmond Tare, nga fshati Armadh i Manzës në rrethin bregdetar. Pasi është vendosur në mekanizmin e kontrollit të makinave, direkt është verifikuar serbatori, ku edhe është zbuluar droga e paketuar me material të padepërtueshëm nga lagështira dhe karburanti. E. Hoxha

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›