Letërsia shqipe në tekste
Kjo temë mund të kishte dhe një kahje mirëfilli didaktike, në kuptimin e një tendence për të hulumtuar e përgjithësuar rrugët më efikase, në përcjelljen e njohurive letrare në nivele të ndryshme të arsimit. Por nuk synojmë posaçërisht këtë, çështja themelore që duam të shtrojmë ka të bëjë me prezantimin e letërsisë shqipe në tekstet shkollore, si cilësi teksti, si raport epokash, gjinish e periudhash letrare, brenda këtij qarku letrar shqiptar e jashtë tij. Problemi në vetvete është kompleks, sa i karakterit teoriko-letrar, aq dhe i lidhur me aspekte të natyrës administrative dhe etike.
Nuk themi ndonjë të re, po të pohojmë se tekstet e shkollave në vetvete janë tepër autoritative në memorien e çdo individi. Këto shtampa të dijes (të shëndoshë apo të cunguar), që përcillen përmes teksteve, e kanë tepër të gjatë jehonën në jetën e njeriut. Nga ky rend, nuk bëjnë përjashtim as tekstet e letërsisë, përmes të cilave çdo individ bën qasjen e vet drejt universit letrar, duke njohur e respektuar hierarkinë e vlerave, si një grafikë kjo e domosdoshme, por pa harruar faktin që ajo të jetë dhe sa më objektive, e paanshme, e pangatërruar me ngarkesa e shtresa jashtëletrare.
Sot nuk ka pengesa të natyrave ideologjike apo të natyrave të tjera, si dikur, prandaj dhe letërsia shqiptare, si asnjëherë në historinë e saj gati 500-vjeçare, qarkullon dhe komunikon në tërë hapësirën shqipfolëse, si një pasuri mbarëkombëtare. Së këndejmi, edhe përfaqësimi i saj nëpër tekste shkollore patjetër që duhet të jetë nga tërë kjo hapësirë, me vlerat e saj më të spikatura. Për fat të keq, si inerci nga e vjetra, pse jo dhe nga modelet e djeshme soc.federativiste (ku përfaqësimet letrare të njësive bëheshin në raport me sistemin federativ e jo në raport me gjuhën e kulturën së cilës i përkisnin), ka ende ndonjë tendencë për ta parë këtë pasuri të ndarë apo të veçuar nëpër regjione letrare, për simetri të regjioneve administrativo-politike ku shtrihen shqiptarët nëpër shtete të Ballkanit. Kur në fakt, përfaqësimi i kësaj letërsie duhet bërë absolutisht me pikat më të larta të tërë megasistemit letrar dhe jo me periferitë, të cilat gjithashtu mund të kenë vlerat e tyre, por s`mund të jenë të vetëmjaftueshme. Këto tendenca provinciale nxiten doemos dhe nga ambicia e krijuesve të caktuar në gjetjen e terrenit për t'u afirmuar, që në megasistem do ta kishin të vështirë apo dhe të pamundur. Por afirmimi në kurriz të niveleve më të spikatura (d.m.th., duke mos i konsideruar ato) më së paku do të vlerësohej si cinizëm moral, me ndikim afatgjatë në zotërimin e mangët të procesit letrar shqiptar nga breznitë, sepse dihet ndikimi i ngulët që kanë tekstet e shkollave. Mund të kujtojmë p.sh., se ka komunitete, ruse apo greke, jashtë shteteve përkatëse politike, por në tekstet letrare të tyre përcillen autorët më të shquar që kanë bërë epokë në gjuhët e tyre e jo në rajonet ku ata janë. Se, tek e fundit, letërsitë realizohen përmes gjuhës, e, kur i bashkon ajo, s'ka kufi tjetër që i ndan. Në këtë kuptim, s'mund të ndahet ajo që s'mund të ndahet dot, pra, gara në fushën e letrave realizohet brenda gjithë kësaj hapësire gjuhësore e jo ndonjë hapësire tjetër, dhe krahasimet realizohen me referencat e brendshme të saj. Thënë përmbledhtazi e figurativisht, letërsia shqipe nëpër tekste mësimore do të përfaqësohet jo përmes provincave letrare, por përmes metropolit letrar, d.m.th., përmes kuotës më të lartë të gjithë kësaj letërsie.
Tashmë është krijuar një traditë që tekstet e letërsisë realizohen mbi parimin e studimit të personaliteteve më të spikatur, duke respektuar sigurisht rendin kronologjik të krijimtarisë së tyre. Në fakt, ky parim mbështetet mbi njohjen dhe respektimin e cilësisë, si kriter themelor i vlerave artistike, prej të cilit krijohet dhe hierarkia e procesit letrar. Veçse duhet pranuar se zbatimi i pastër i këtij kriteri, krijon dhe golle në rrafshin e informacionit mbi tendenca e prirje letrare në kohë të ndryshme, mbi tipologjinë zhanrore e stilistikore të teksteve. Prandaj, ndihet e nevojshme që ky kriter i hartimit të teksteve mësimore, të kombinohet dhe me kritere të tjerë historiko-letrarë, me synimin që letërsia shqipe të ravijëzohet si një proces polifonik, jo vetëm me larmi autorësh të përveçëm, por dhe me larmi botëvështrimesh e teknikash ligjërimore, realiste e moderniste, lirike dhe epike, historike e bashkëkohore, morale e filozofike. Fjala është që të përcillet informacion dhe mbi letërsinë me temë historike, humoristike, me ligjërim tradicional apo modern.
Traditë pozitive po krijohet dhe në konceptimin viteve të fundit të teksteve letrare sinkretikë, ku shkrihen e harmonizohen njohuri letrare, me ato gjuhësore e teoriko-letrare. Do ta quanim këtë një triumf të profesionalizmit kundrejt didaktikës së djeshme burokratike e gati tiranike, që transmetonte mjaft njohuri në vështrim të parë, por realisht - duke i parë ato në mënyrë të izoluar nga dinamika funksionale e teksteve, i bënte këto njohuri fosile të pamanovrueshme dot në ballafaqim me realitetin. Veçse do të sugjerohej që përzgjedhja e teksteve letrare për të argumentuar p.sh., njohuri teorike mbi simbolin, mbi funksionin stilistik të dialektalizmave, historizmave, neologjizmave etj., s'duhet të jetë e rastësishme, por në asi rastesh kur ato tekste i kanë më të dukshme e më frekuente këto dukuri. Kështu do të kuptoheshin më mirë këto njohuri teorike, por do të depërtohej më thellë edhe në nivelet estetike të veprave p.sh., të Kadaresë, J.Xoxës, A.Pashkut., që i përshfaqin këto prirje stilistike.
Problem më vete, ose gati sfidë, është dhe raporti në këto tekste i letërsisë shqipe me atë botërore. Raporti në anën vëllimore gjykojmë se përgjithësisht është përcaktuar drejt dhe ka të bëjë me kriteret e programit. Por ajo që mund të diskutohet ka të bëjë me anën konceptuale të vendosjes së këtyre domeneve letrare. Kohëve të fundit është realizuar një model për t'i vështruar ato në mënyrë ballafaquese: çdo formacion letrar botëror i pranëvendosur me formacionin përkatës të letërsisë shqipe. Për të mos e përimtësuar inkonsekuencën e këtij modeli, duhet thënë se, në fund të fundit, tejkalohet çdo sens realizmi. Letërsia shqipe ka grafikën e saj specifike të kushtëzuar nga historia, kultura, etnotradita e popullit që e mbart atë letërsi në procesin e krijimit e të receptimit. Do të gjykonim që letërsia shqipe të vështrohej jo në sensin ballafaques, por vijues, me letërsinë botërore, si një rrjedhë që u ushqye artistikisht nga kjo përvojë. Nisur nga ky këndvështrim, do të ishte e udhës që në nivelet e para të shkollimit, tekstet të kishin informacion veçmas nga letërsia botërore e më pas nga ajo shqipe, për të qenë shkollarët më të përgatitur për të interpretuar e mirëkuptuar simetritë dhe asimetritë, nivelet dhe disnivelet e proceseve letrare përkatëse.
Një sfidë tjetër do ta quanim dhe vendin që duhet të zërë në tekste letërsia bashkëkohore, apo si quhet ndryshe - ajo e pasluftës së Dytë Botërore. Në letërsinë shqipe kjo periudhë përfshin një vëllim dhe një cilësi të dukshme, gati epërsi estetike në disa rrafshe. Megjithatë, e parë si proces gati 5 shekullor, letërsia shqipe duhet të pasqyrohet në mënyrë sa më integrale, veçanërisht në interpretimin dhe vlerësimin e traditave, siç ndodh në çdo prezantim të qytetërimeve të popujve të botës. Mirëpo vetë krijuesit bashkëkohorë kanë për specifikë një trysni të drejtpërdrejt ndikimesh mediatike, klanore e personale mbi hartuesit e teksteve, për të kërkuar vendin e tyre në domenin e historisë së letërsisë. Sado periferik e anektodik të duket ky ndikim, ai ka rolin e vet në shtimin e dozave të subjektivitetit rreth këtij procesi letrar, krahas ndikimeve të tjera të karakterit të jashtëm që vijnë nga polet e jetës sociale, që përcjellin paragjykime, vlerësime apo rezerva të ndryshme. Një gjë duhet mbajtur mirë parasysh: ashtu si dhe në traditat europiane e më gjerë, letërsitë aktuale apo korente, zënë pak vend nëpër tekste shkollore apo akademike. Kjo ndodh për mjaft arsye, edhe sepse këto dukuri letrare konsiderohen të hapura, me autorë që vazhdojnë të krijojnë dhe vepra e tyre mbetet kështu e pambyllur si fenomen artistik, e për pasojë, e padefinuar nga mendimi kritik.
Viteve të fundit është dukur debati rreth prezantimit të teksteve të traditës, sidomos asaj më të hershme, me dilemën nëse ato duhet të përshtaten në gjuhën standarde apo të ruhen vetëm në variantin origjinal. Në hapësirën e këtij debati vihet re në jo pak raste më shumë tendenca për të hapur sulme ndaj standardit të shqipes se sa për t'u marrë me problemin në fjalë. D.m.th., është fare normale që tekstet e traditës duhet të përcillen me origjinalitetin e ligjërimit e të shenjave grafike, sigurisht, me shpjegimet përkatëse profesionale e me tekstet e përshtatura përkrah sipas standardit, modele këto që janë të ndjekura dhe nga të tjerët e nuk mbetet t'i shpikim ne. Kësisoj, këto tekste, jo vetëm nuk largohen, por i afrohen më afër lexuesit të sotëm, sepse receptohen më estetikisht, me të gjithë potencialet dhe nivelet gjuhësore. Nga ana tjetër, kjo metodikë krijon në tekste dhe disa laboratorë të mirëfilltë pune filologjike, aq e nevojshme, po gjer më sot e munguar në këto tekste. Këtu është rasti të përmendet dhe zbrazëtira që vjen e shtohet e specialistëve që do ta kryenin këtë mision: latinistë, helenistë, orientalistë etj. Kemi patur një traditë të spikatur, shkollë e madhe filologjike, që sot kujtohet si një vlerë e largët, me pak gjasa për t`u ringjallur e riaktivizuar së afërmi me emra të rinj. Institucionet arsimore e shkencore duhet ta kenë obligim të madh përgatitjen, kualifikimin dhe inkurajimin e këtyre specialistëve, murgjër të vërtetë të leximeve e interpretimeve të shkrimeve, të pakët në numër, por të domosdoshëm në fushat e dijes.
Duhet të mbajmë mirë parasysh se letërsia, me cilësinë e leximit e të interpretimit, qarkullon kryesisht në nivelet e ndryshme të arsimit, sidomos pjesa e traditës, që është dhe më e gjera në vëllim dhe në shtrirjen kohore. Pikërisht në shkolla lexohen e studiohen p.sh., të përmendim sa për ilustrim, disa të shquar si Aligeri, Sidi, Korneji, Bogdani, De Rada, Mjeda etj., dhe të mos mendohet se këta dhe shumë të tjerë, kanë një lexim kushedi se çfarë nëpër mjedise të tjera. Kjo situatë ka qenë dhe më parë, por sot është bërë më e spikatur në rrethanat e një rritjeje galopante të informacionit mbi njeriun, i cili konkurron apo zëvendëson kontaktet e dikurshme me thesarin libror. Kjo nuk është anormale, por anormale do të ishte nëse nuk do të vlerësohej drejt pasqyrimi i letërsisë në tekste, e cila në fakt komunikon me numrin më të madh e më të etur të lexuesve, siç janë ndjekësit e shkollave. Më shkoqur, shkolla sot ka monopolin e leximit më të madh të letërsisë. Prandaj tekstet e letërsisë, të niveleve shkollore apo universitare e akademike, janë si të thuash hipoteka të hapura të vlerësimit e të certifikimit të veprave e proceseve letrare. Si të tilla, ato duhet të administrohen me përgjegjësi e me profesionalizëm, për ta dhënë sa më objektivisht hartën e vlerave letrare, me tërë relievin, lartësitë dhe ultësirat që ky realitet letrar shfaq.
Letërsia të përfaqësohet me metropolin letrar e jo me periferitë. Tekstet shkollore apo ato akademike janë hipoteka të vlerësimit e certifikimit të proceseve letrare.
Tekstet e letërsisë, të niveleve shkollore apo universitare e akademike, janë si të thuash hipoteka të hapura të vlerësimit e të certifikimit të veprave e proceseve letrare.