E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, drejt fundit projekti për qendrën historike

Projekti transizmik i studimit të rrezikut të shembjes së qendrës historike ka gati të dhënat për 1200 ndërtesa
 
Gjirokastër-Brenda qershorit Gjirokastra do të ketë gati projektin transizmik rreth studimit të rrezikut të shembjes së qendrës historike. Sipas njërit prej specialistëve italianë të këtij projekti Piero Piccioni, gjatë studimit të kryer ka përfunduar përshtatja e të dhënave konkrete për shumicën e 1200 ndërtesave ndërkohë që pjesa e ngelur pritet të finalizohet për katër muaj. Prej një viti në Gjirokastër ndodhen 8 studentë të Institutit Teknik të Grottamares, të cilët janë aktorët kryesorë në analizimin e studimit për rilevimin e zonës historike të qytetit. Sipas specialistit deri në përfundimin e të gjithë projektit mendohen të aktivizohen kurse trajnimi për teknikët e zyrave urbanistike për partnerët e projektit në fjalë. Tematikat kryesore parashikohen të jenë të lidhura me rikuperimin dhe valorizimin e pasurisë kulturore dhe asaj arkitektonike-historike të qendrave urbane dhe përdorimin e sistemeve të menaxhimit të hartografisë dixhitale nëpërmjet sistemeve të përparuara GIS. Për kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, ky projekt vjen si fryt i një bashkëpunimi të hershëm mes bashkive të Gjirokastrës dhe Grottamares, të binjakëzuara prej kohësh. Bashkia e Gjirokastrës ka vënë në dispozicion për implementimin e këtij projekti 50 mijë euro ndërkohë që partnerët italianë nga Rajoni i Markeve dhe Bashkia e Grottamares 400 mijë euro. Këto fonde financohen nga projekti ndërkufitar INTERREG dhe programi evropian CARDS. E njëjta punë që po kryhet në Gjirokastër, mendohet të shtrihet edhe në Grottamare. Aktivitetet kryesore të projektit janë rilevime dhe investigime, analizim i rrezikut sizmik në qendrat historike etj. Sipas specialistëve italianë në përfundim të projektit pritet të realizohet një portal internet Web-GIS në të cilin do të publikohen rezultatet e studimeve të kryera. Projekti transizmik i realizuar nga specialistët italianë dhe ata shqiptarë, është në vazhdën e planit të rikuperimit të qendrës historike të prezantuar në maj të vitit 2006. Ky projekt do t'i japë mundësinë Bashkisë së Gjirokastrës të fillojë punën për të pasur në dispozicion instrumentin më të rëndësishëm të menaxhimit të territorit, Planin e Përgjithshëm Rregullator.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›