E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria drejt NATO-s

 
Shqipëria dhe dy vende të tjera ballkanike presin t'i bashkohen Aleancës në Samitin e Bukureshtit, që do të mbahet javën e parë të muajit prill. Zgjerimi me tre vende të vogla në Ballkan, krahasuar me zgjerimet e mëparshme, mund të mos ketë të njëjtën vlerë strategjike për Aleancën, por s'ka dyshim se për Shqipërinë, Kroacinë dhe FYROM, si edhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor, ky zgjerim është një investim dhe zhvillim historik. Së pari, anëtarësimi në NATO i tre vendeve ballkanike, do të rrisë sigurinë dhe stabilitetin ende të brishtë të të gjithë rajonit. Ende në një masë të konsiderueshme, çështjet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor varen nga marrëdhëniet midis shteteve. Midis vendeve që shpresojnë t'i bashkohen Aleancës në fakt nuk ka probleme të pazgjidhura që mund të dëmtojnë sigurinë apo stabilitetin, përkundrazi, ka një frymë evropiane të bashkëpunimit politik dhe ekonomik. Mirëpo, duke pasur parasysh zhvillimet e debatueshme në Serbi, si dhe ndryshimin e hartës politike të Ballkanit, me pavarësinë e Kosovës, nuk është e pamundshme që edhe marrëdhëniet më të konsoliduara ndërshtetërore në Ballkan të influencohen negativisht. Serbia e sotme, që flet për NATO-n me një gjuhë tipike të Luftës së Ftohtë, mund ta shikojë me armiqësi zgjerimin e Aleancës dhe kësisoj të ndikojë në marrëdhëniet e saj me Kroacinë dhe FYROM. Nga ana tjetër, hezitimi i FYROM për të njohur pavarësinë e Kosovës, aktualisht të njohur nga shumica e vendeve të BE-së dhe NATO-s, mund të influencojë negativisht në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovën dhe Maqedonisë.
Anëtarësimi në NATO i tre vendeve ballkanike do të rrisë sigurinë dhe stabilitetin edhe nga një këndvështrim tjetër. Në Ballkanin e pas Luftës së Ftohtë, siguria dhe stabiliteti u rrezikuan mjaft nga marrëdhëniet brenda përbrenda shteteve. Dhe konfliktet e brendshme nuk kishin të bënin vetëm me marrëdhëniet ndëretnike, siç ishte, për shembull, rasti i FYROM, por dhe me konflikte politike, që shoqëruan tranzicionin politik dhe ekonomik nga diktatura apo regjimet autoritare në demokraci.
Ndonëse s'mund të flitet më për pretendimet, që disa vende ballkanike paraqitën ndaj ekzistencës së FYROM si shtet i pavarur, në fillim të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe ndonëse shqiptarët në FYROM mbështesin një shtet unitar dhe të bashkuar me maqedonasit, gjithsesi, anëtarësimi i mundshëm i FYROM në Aleancë është një investim strategjik për ekzistencën dhe konsolidimin e kësaj si shtet.
Nga ana tjetër anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është, së pari, një vlerësim i transformimit demokratik dhe ekonomik të një prej diktaturave me ekstreme komuniste në gjithë ish-Lindjen komuniste. Së dyti, anëtarësimi i pritshëm i Shqipërisë është një investim për të gjithë procesin e rindërtimit të shtetit dhe bashkimin me vlerat e familjes europiane.
Shqipëria ishte vendi i parë ish-komunist, që kërkoi anëtarësim në Aleancë më 1992. Më 1994, Shqipëria u bë pjesë e partneritetit për paqe. Ndërsa gjatë gjashtëmbëdhjetë vjetëve të fundit, që nga rënia e regjimit komunist, Shqipëria është sjellë si të ishte një vend anëtar i Aleancës. Aktualisht, anëtarësimin në NATO shqiptarët e lidhin me identifikimin me Perëndimin. Shqipëria është ndoshta nga vendet e pakta, ku as elitat politike, as shoqëria nuk kanë pasur ndonjë dilemë për t'u bashkuar me Aleancën. Kur siguria kombëtare e Shqipërisë rrezikohej seriozisht në fillim të viteve '90-të, me shpërbërjen e Jugosllavisë, qeveria e parë jokomuniste nuk pati asnjë hezitim për t'ia besuar dhe për ta kërkuar sigurinë kombëtare te Aleanca Atlantike. Anëtarësimi në NATO aktualisht gëzon një mbështetje popullore në Shqipëri dhe shanset e anëtarësimit në këtë samit kanë mobilizuar elitën qeverisëse, si edhe opozitën, për të bashkëpunuar në realizimin e të gjitha reformave të brendshme. Nuk ka dyshim se anëtarësimi për një vend ende të varfër si Shqipëria ka një kosto, por, pavarësisht nga kjo, nuk ka asnjë dilemë, as te elitat e vendit e as në nivelin e shoqërisë.
Në Shqipëri, dhe jo vetëm këtu, anëtarësimi në NATO mund të ketë krijuar pritshmëri përsa u takon çështjeve ekonomike dhe përfitimeve të tjera. Por pavarësisht nga pritshmëritë për përfitime të menjëhershme, gjithsesi, në një proces afatmesëm dhe sigurisht afatgjatë, anëtarësimi në NATO i Shqipërisë dhe i dy vendeve të tjera ballkanike do të krijojë një mjedis atraktiv për investimet e huaja dhe zhvillimin ekonomik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›