E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i pallateve, Majko abstenon

 

BlEDAR HOTI

Të gjithë banorët e pallateve me hipo-tekë duhet të krijojnë shoqëri për administrimin e ambienteve të përbashkëta, duke lidhur kontrata të veçanta me administratorë për mirëmbajtjen e tyre. Administratorët do të jenë firma private të licencuara dhe paguajnë tatimet. Komisioni parlamentar i Ligjeve diskutoi dje projektligjin "Për administrimin e objekteve të përbashkëta në ndërtesat e banimit". Të gjithë deputetët e maxhorancës dhe opozitës ishin dakord në lidhje me draftin e paraqitur nga qeveria. Deputeti i PS-së, Pandeli Majko, ka qenë i vetmi që abstenoi me votën e tij. Socialisti Majko ka deklaruar se drafti nuk zgjidh çështjen e atyre familjeve që jetojnë në banesat e ish-pronarëve. Përfaqësuesja e qeverisë, Doris Andoni deklaroi se kjo çështje është zgjidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. "Kam rezerva për këtë shtresë, sepse janë me mijëra familje që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve, ndërsa ju i detyroni të paguajnë për mirëmbajtjen e këtyre banesave, duke hequr të njëjtën paralele duke i trajtuar njësoj", deklaroi Majko. Ndërsa socialisti Bashkim Fino duke vlerësuar këtë draft deklaroi se, "i trembet se një nismë e tillë të mos zbatohet në praktikë si ligji antiduhan". Relatori i këtij p/ligji, socialisti Besnik Dervishi kërkon ndryshimin e disa neneve për ta përshtatur me Kodin Civil. Kontestimi lidhet me zëvendësimin e subjekteve ndërtuese, të falimentuar apo të zhdukur, të cilat kanë ndërtuar pa leje apo jashtë kritereve të ndërtimit dhe nuk janë pajisur me lejen e shfrytëzimit nga bashkia dhe si pasojë nuk kanë regjistruar objektin në ZRPP, nga kryetari i bashkisë. Sipas tij, kalimi do të thotë se duhet të parashikohen fonde të veçanta për të trajtuar këto raste nga ana e bashkisë. Ky projektligj zbatohet për të gjitha ndërtesat me dy ose më shumë pronarë, që shërbejnë për banim dhe që mund të kenë lokale shërbimesh e tregtie që janë pjesë e tyre

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›