Hetimi; Trafiku i organeve tek të miturit, Prokuroria e Romës nis hetimet
Hetime nga Prokuroria e Romës kanë nisur mbi një trafik të dyshuar të minorenëve nga Shqipëria në Itali, për të mundësuar transplantime ilegale organesh. Në vendin tonë, këto vitet e fundit, - është shprehur “Censis” (Qendra e Studimeve Sociale), - janë zhvilluar disa hetime nga prokurorët mbi raste të dyshuara të shitjes së organeve, por pa mundur që hetimet të arrijnë në prova konkrete. Në një nga rastet më të fundit që citohet nga kjo qendër është hetimi që doktor Adelki Ippolito i Prokurorisë së Romës ka hapur në Shqipëri. Hetimi ka të bëjë me dyshimet për një trafik të mundshëm minorenësh, që dyshohej se ishin transferuar ilegalisht në Greqi dhe në Itali jo vetëm si vende tranzite, por edhe si destinacione finale ku bëheshin transplantet. Mësohet se ky hetim është në një fazë të rëndësishme dhe hetuesit presin rezultate të rëndësishme. Por është ndryshe, - saktëson qendra italiane e Studimeve Sociale, - rasti i tregtisë ilegale të organeve. “Ka prova të ndryshme të transplanteve të marra nga shtetasit italianë në vendet ku është bërë dhurimi i organeve. Në pjesën më të madhe të rasteve, italianët kanë shkuar në Indi për të marrë një organ, duke qenë se deri në 1994, në atë vend shitja e organeve ishte e ligjshme”. Për sa i përket rrjetit italian, kontrollet e parashikuara mund të ofrojnë garanci të mjaftueshme për të penguar futjen e një organi me origjinë të paligjshme në rrjetin ligjor të transplanteve të mjekësisë publike, por “situata mund të jetë ndryshe në rastin në të cilin hipotizohet ekzistenca e një trafiku klandestin të zhvilluar në spitalet private, jo zyrtarisht, në spitale të pajisura me aparatura të mira dhe që nuk dihet se ekzistojnë nga Shërbimi Kombëtar Shëndetësor italian”. Takimi i realizuar dje nga kjo qendër është botuar dje në website-n on-line të L’Unione Sarda.it.
Të miturit, alarmi i ministrit Maroni:
“Ka evidenca të trafikut të organeve”
"Kemi evidenca të trafikimit të organeve të të miturve që janë prezentë dhe janë rigjetur në Itali. Deklarimi është bërë dje nga ministri i Brendshëm, Maroni, i cili ka marrë pjesë në asamblenë vjetore të UNICEF në Romë. Maroni ka folur për mjetet efikase për të luftuar këtë fenomen. “Një nga mjetet më efikase që do të përdorim do të jetë përfundimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare, ajo e Prum, që ngre edhe në Itali një bankë të dhënash të ADN-së, siç ndodh në vendet e tjera evropiane. Mund të luftojmë më mirë fenomenin me këto instrumente”, - ka përfunduar ai.