Letra me vlerë, skema si do përdoren për legalizimet
BLEDAR HOTI
Kuvendi i Shqipërisë brenda tre javëve i duhet të miratojë ndryshimet e paraqitura nga qeveria për ligjin e “Legalizimeve”. Ndryshimi kryesor që paraqitet për miratim nga ana e qeverisë është ofrimin e skemave të ndryshme të pagimit të parcelës ndërtimore nga ana e banorëve. “Mënyra e pagesës së parcelës ndërtimore të ndërtimit pa leje në proces legalizimi bëhet a) në vlerë monetare; b) me bono privatizimi, në përputhje me dispozitat e neneve 19, 20, 21 të këtij ligji; b) bonot e privatizimit, të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit”, thuhet në nenin 17 të paraqitur për t’u miratuar në Kuvend. Në pikën 3 të këtij neni, sanksionohet se “taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë bëhen vetëm në lekë”. Ndërkohë që është përcaktuar që personi që e legalizon shtëpinë formale brenda apo jashtë vijës së verdhë, sipas neneve 19 dhe 20 të ligjit aktual, apo të shtesave të pallateve, duhet të paguajnë me bonot e privatizimit deri në 50 për qind të vlerës që detyrohet të paguajë në zyrat e ALUIZNIT. Të ardhurat, sipas nenit 7 të këtij drafti, të ardhurat e arkëtuara nga procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje transferohen në buxhetin e shtetit, për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si fond kompensimi financiar për subjektet e shpronësuara. Drafti përmban dhe një dispozitë kalimtare në të cilën nga ky favorizim përfitojnë edhe ato persona që kanë nisur procesin e pagimit pranë sporteleve të ALUIZNI-t. “Personat që kanë, të cilët i kanë kryer pagesat për parcelat ndërtimore të ndërtimit pa leje, përfitojnë lehtësitë e parashikuara në këtë ligj. Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të dorëzimit të bonove të privatizimit, personat duhet të paraqesin kërkesë me shkrim, pranë ALUIZNI-t, brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, thuhet në neni 8 të projektit.
Shembull
Një familje që ka ndërtuar në Tiranë një shtëpi pa leje dhe ka zaptuar një truall me sipërfaqe prej 300 metrash katrorë, deri në miratimin e ndryshimeve ligjore, i duhej të paguante 400 mijë lekë, si tarifë për të marrë tapinë e tokës. Nga kjo shumë, 20 për qind shkon për Bashkinë e Tiranës, në përdorim të urbanizimit të zonës. Me ndryshimet e miratuara dje, familja do të mund të paguajë me lekë vetëm 20 për qind, pra 80 mijë lekë. Pjesën tjetër të shumës, pra 320 mijë lek,ë mund të paguajë me bono privatizimi. Sipas tregut, vlera e bonove është aktualisht 8 për qind. Pra familja mund të blejë me 25.6 mijë lekë, bono privatizimi dhe të paguajë vlerën prej 320 mijë lekësh, duke kursyer në këtë mënyrë 294.4 mijë lekë. Kjo për tokën nën 300 metra brenda vijës së verdhë dhe nën 500 metra jashtë vijës së verdhë. Për sipërfaqet shtesë, mbi 300 dhe 500 metra, dhe që shërbejnë për banim, familjet do të duhet të paguajnë 50 për qind të vlerës së tregut të tokës me para dhe 50 për qind me bono privatizimi.
50 PER QIND
Mbi bazën e skemës së re, 50% e shumës që duhet të paguhet në procesin e legalizimit të shtëpive bëhet me anë të bonove të privatizimit, kjo vetëm për shtëpitë, jo për hipotekën dhe taksat
3 MUAJ
Shteti i jep të drejtën edhe atyre që kanë paguar paratë t’i tërheqin ato para për të paguar gjysmën e shumës me bono privatizimi. Për këtë jepet një afat prej tre muajsh për t’u realizuar
350 mije
Kaq është numri i objekteve informale në shkallë republike. Pjesa më e madhe e tyre është përqendruar në zonat e Shqipërisë së mesme, Tiranë, Durrës dhe Elbasan