E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, mandatet në dorë të Topallit

 

adi shkembi

Mandati i 65 deputetëve të opozitës është në dorën e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Rregullorja e Parlamentit dhe Kushtetuta përcaktojnë rastet kur parlamentarët humbasin mandatin, si pasojë e refuzimit për të bërë betimin. Megjithatë asnjë prej këtyre dy dokumenteve nuk vendos një afat brenda të cilit duhet bërë betimi, çka lë të hapur debatin lidhur me këtë çështje.
Kushtetuta
Ligji themeltar i shtetit në nenin 71 të tij thotë se mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve. Në pikën dy të tij parashikohen rastet kur mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm dhe që janë “kur ai nuk bën betimin; kur heq dorë nga mandati; kur mbaron mandati i Kuvendit; kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi”. Konkretisht sipas Kushtetutës, mandati i deputetit mbaron ose është i pa vlefshëm edhe në rastin kur ai nuk bën betimin. Por dokumenti i miratuar në vitin 1998 nuk jep një afat për kohën deri kur pritet për t’u betuar deputeti që atij t’i hiqet mandati.
Rregullorja
Në të njëjtën linjë është edhe rregullorja e parlamentit, e cila në nenin katër, “Betimi i deputetëve”, thekson se menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët bëjnë betimin, pasi lexohet teksti. Por në pikën pesë të këtij neni, thuhet se nëse deputetët refuzojnë të bëjnë betimin, Kryetarja e Kuvendit, me sekretarinë e përkohshme, deklarojnë mandatin e deputetit dhe njoftojnë KQZ-në. “Drejtuesi i seancës, në këshillim me Sekretarinë e Përkohshme, deklaron mbarimin e mandatit të deputetit kur ai nuk pranon të betohet ose i shmanget betimit dhe njofton menjëherë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Deklarimi i mbarimit të mandatit botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare”, thuhet në rregullore. Megjithatë dokumenti nuk e specifikon kohën kur kryeparlamentarja dhe sekretaria e përkohshme deklarojnë mbarimin e mandatit.
Precedenti me PD
Gjatë legjislaturave të parlamentit pluralist, Partia Demokratike ka bojkotuar në tre raste përkohësisht Parlamentit. Precedenti i parë është në vitin 1991, pas zgjedhjeve të 31 marsit, kur Partia e Punës fitoi shumicën e vendeve në parlament. PD atëherë në opozitë bojkotoi për një javë Kuvendin në shenjë proteste ndaj ngjarjeve të 2 prillit në Shkodër. Por pa kaluar 10 ditë nga zgjedhjet, PD u rikthye në Kuvend. Precedenti i dytë është gjashtë vjet më vonë, kur PD humbi sërish në zgjedhjet e 29 qershorit 1997. Të rikthyer në opozitë, demokratët e bojkotuan parlamentin rreth tre javë, për t’iu rikthyer këtij institucioni gjatë muajit korrik. Ndërkohë rasti i tretë është ai i zgjedhjeve të vitit 2001, ku PD protestoi për manipulimet që sipas saj kishte bërë në më shumë se gjysmën e zonave Partia Socialiste. Opozita nuk hyri një muaj në parlament. Por në të treja rastet, bojkoti i pakicës nuk zgjati më shumë se një muaj. I pyetur për protestat e asaj kohe, deputeti i PD-së Tritan Shehu tha se pavarësisht qëndrimit të mbajtur, debati mbi bojkotin duhet zhvilluar në parlament dhe jo jashtë tij.

Kushtetuta

Neni 71
Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit:
a) kur ai nuk bën betimin;
b) kur heq dorë nga mandati;
c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në
nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3;
ç) kur mbaron mandati i Kuvendit;
d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend;
dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Rregullorja

Neni 4
Betimi i deputetëve
Deputetët që mungojnë në seancën kur kryhet betimi, betohen në seancën më të parë në të cilën marrin pjesë.
Drejtuesi i seancës, në këshillim me Sekretarinë e Përkohshme, deklaron mbarimin e mandatit të deputetit kur ai nuk pranon të betohet ose i shmanget betimit dhe njofton menjëherë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Deklarimi i mbarimit të mandatit botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›