Lushnja, ndal edhe Tiranën
12/02/2005 Në ndeshjen e parë të javës së 23-të të Kampionatit, kryesuesit e Tiranës nuk kanë mundur të shkojnë më shumë se një barazim 1:1, kundër Lushnjes, së drejtuar nga ish-trajneri i Kombëtares, Sulejman Demollari. 21 herë kampionët, nuk kanë paraqitur pothuajse asgjë në fushën e lojës, duke vuajtur mungesën e koordinimit të disa futbollistëve kryesorë, që gjatë ditëve të fundit kanë qenë të grumbulluar me ekipin Kombëtar. Në këtë mënyrë, bardheblutë i kanë dhënë mundësi ndjekësve të tyre më të afërt në Kampionat, Elbasanit, që në ndeshjen e sotme të shkurtojnë diferencën me 9 pikë. Ndërkohë që në kampin lushnjar, rezultatet pozitive të këtyre javëve të fundit, kanë ndikuar pozitivisht në moralin e skuadrës, që gjatë gjithë 90 minutëshit të djeshëm, nuk kanë luajtur vetëm si të barabartë, por edhe më mirë se kundërshtarët. Një pikë shumë e vlefshme për skuadrën e Demollarit, mbi të gjitha, duke parë kualitetin e Tiranës, duke i konsoliduar pozitat e tyre në mesin e artë të tabelës.