E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra/Fitorja e Savo Priftit, fitore e Himarës

02-05-2011 / Nga Alban Kavaja

Kushdo që i njeh mirë kandidatët për kryetar bashkie në Himarë dhe nuk i paragjykon për nga partia dhe koalicioni që përfaqësojnë, nëse pyetet se cili është më i vlefshmi për Himarën dhe për qytetarët e saj, më me vizione moderne dhe më me aftësi menaxhuese dhe konstruktive, nuk do të mendohej gjatë të përgjigjej me bindje e sinqeritet: Savo Prifti. Savo prej vitesh përfaqëson një histori suksesi në pasurim të vazhdueshëm në të gjitha fushat e angazhimit, si jurist në Bashkinë e Himarës, më 1999-2003, si avokat nga 2003 e aktualisht, si Kryetar i Këshillit Bashkiak të Himarës më 2003-2007, si Këshilltar në Këshillin Bashkiak 2003-2011 dhe si kryetar i Degës së PD-së në Himarë. Duke ia njohur dhe vlerësuar personalitetin, aftësitë drejtuese, seriozitetin dhe përgjegjshmërinë, respektin dhe besimin masiv që gëzon tek shumica e qytetarëve, PD-ja dhe “Aleanca për qytetarin” e caktuan Savo Priftin si kandidat të tyre për zgjedhjet e pushtetit vendor më 8 maj. Ky vendim mbështetej tek bindja e plotë se ishte njeriu që e meritonte dhe që i duhej më shumë Himarës, për të mundësuar  futjen e saj me të gjitha potencialet në rrugën e ndryshimit të madh, për t’u bërë, ashtu siç e duan të gjithë shqiptarët, perlë turistike jo vetëm për nga bukuritë natyrore, por edhe për nga ambientet, kushtet, shërbimi, për frekuentim masiv dhe elitar, për standardet moderne dhe konkurruese edhe përtej rajonit.
Si njeri që e njeh mirë Himarën, me të gjithë resurset dhe problematikën e saj, që ndjen kënaqësi për hapat e saj përpara, si dhe dhimbje e dëshpërim, që e pengojnë të bëjë hopin e shumëkërkuar, që dëshiron ta shohë e ta bëjë qytet që ofron turizëm bashkëkohor dhe punësim jo vetëm për 3 muaj të një sezoni, por për 12 muaj, Savo dhe ekipi i tij i specialistëve kanë paraqitur para të gjithë qytetarëve një paketë me objektiva dhe projekte shumëplanëshe. Në ndryshim nga projekt-programet e kandidatëve të tjerë, ato të Savo Priftit janë konkrete, të besueshme, të realizueshme me kosto financiare të përballueshme si dhe brenda një periudhe kohore relativisht të shpejtë. Nëse premtimet e kandidatëve kundërshtarë të kujtojnë thënien e moçme “Lum kush të rrojë që ti gëzojë”, projektet e Savo Priftit ofrojnë shanse dhe mundësi të shumta të jenë të prekshme e të përjetueshme brenda këtij viti dhe gjatë 4 viteve të  mandatit  të tij si kryebashkiak.
Në programin ambicioz të tij përfshihen infrastruktura rrugore, gjelbërimi, rikonstruksioni tërësor i gjimnazit, ndërtimi i rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve në qytet e fshatra, pastrimi i vazhdueshëm i rrugëve dhe rrugicave si dhe i brezit buzë detit nga mbeturinat urbane, shtimi i mjediseve dhe qendrave kulturore, sportive, çlodhëse e argëtuese për të gjithë brezat, etj, gjithnjë sa më afër standardeve bashkëkohore në rajon e përtej tij. Duke menduar për t’u dhënë fund praktikave jo transparente dhe jo demokratike të drejtimit të Bashkisë, kandidati i “Aleancës për qytetarin”, Savo Prifti ka vënë në krye të programit të tij objektivin e kthimit të bashkisë së Himarës në shërbim të qytetarit, me një administratë profesionale dhe pjesëmarrje aktive dhe gjerëpërfshirëse të komunitetit në procesin vendim-marrës të saj.
I bindur se  ky program objektivash dhe projektesh përbën një avantazh të ndjeshëm ndaj kandidatëve kundërshtarë, Savo Prifti ka alternuar takimet masive me qytetarët me vizitat në shtëpitë e familjet e tyre, për t’i parë e dëgjuar më mirë e më nga afër  problemet dhe shqetësimet e njerëzve. Gjatë këtyre takimeve e vizitave ai ka dëgjuar plot qytetarë të mendonin si ai se  Himara është zhvilluar vitet e fundit, por kjo falë vetëm investimeve të qeverisë dhe jo të pushtetit lokal, i cili ka braktisur prej kohësh interesat e qytetit dhe qytetarëve, duke i kushtuar shumë më tepër kohë, vëmendje dhe energji bizneseve dhe përfitimeve ngushtësisht personale, familjare, klanore e partiake, tensionimit të raporteve dhe të bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe minoritarëve.  Sipas vizionit dhe programit të Savo Priftit “Bashkia e Himarës duhet jetë si një familje e madhe për banorët e saj. Ne duam një bashki gjithëpërfshirëse, ku të ketë harmoni midis të gjithë qytetarëve. ku emigrantët e shumtë himariotë, përgjithësisht të moshave të reja, të vijnë masivisht jo vetëm për të hapur biznese të reja, konkurruese e jetëgjata, por edhe për të jetuar e punuar përgjithmonë në vendlindje, në Himarën e tyre të mrekullueshme dhe të pashoqe. Me sloganin “Të marrësh përgjegjësi, të japësh drejtësi”, Në takimet e tij, me sloganin e vlerësuar dhe të mirëpritur nga shumë qytetarë të thjeshtë, “Të marrësh përgjegjësi, të japësh drejtësi”,kandidati demokrat ka përforcuar bindjen se  një problem i madh janë lejet e ndërtimit, të cilat sipas tij, aktualisht janë dhënë mbi baza klienteliste, sipas interesave të ngushta klanore e financiare të drejtuesve të bashkisë. Për Savo Priftin Himara nuk meriton të betonizohet dhe se ato leje ndërtimi që do të lëshohen në të ardhmen, në radhë të parë do kenë në qendër interesin e qytetit dhe qytetarëve dhe do të jenë në përputhje me planin urbanistik afatgjatë e bashkëkohor.
Si njeri që ka në stilin e tij të punës e të debatit që t’u referohet fakteve konkrete, Savo e argumenton shqetësimin e tij për subjektivizmin dhe klientelizmin në politikën e miratimit të lejeve të ndërtimit gjatë dy mandateve të Bollanos,me ndërtimin e një pallati shumë katësh pranë shkollës së mesme. Me të drejtë  leja e ndërtimit për këtë pallat u kundërshtua fuqishëm në këshillin bashkiak, por interesat klienteliste triumfuan mbi ato të qytetarëve të Himarës” - thotë ai me keqardhje. Në takimet e tij me qytetarët Savo Prifti ka premtuar se brenda 2 viteve do të përfundojë Unaza e qytetit, e cila do t’i japë një nxitje të madhe perspektivës së biznesit, duke i kthyer katet e para të ndërtesave në biznese të shumëllojshme dhe fitimprurëse.
Pas njohjes edhe të programeve të kandidatëve të tjerë, shumica e zgjedhësve në Himarë kanë krijuar bindjen se  kandidati i “Aleanca për qytetarin”, Savo Prifti ka një projekt shumë më ambicioz, shumë më konkret e të zbatueshëm për kthimin e Himarës në qendrën më të rëndësishme turistike të bregdetit shqiptar. Njëkohësisht ky program ofron mundësi konkrete për ta shndërruar godinën e Bashkisë nga qendër tenderash dhe përfitimesh të mëdha nga një grusht drejtuesish, në një shtëpi të madhe, ku të gjithë qytetarët mund të qajnë, të zgjidhin apo edhe lehtësojnë hallet e tyre të përditshme si dhe të mos ndjehen si deri tani, thjeshtë si emra dhe numra për lista elektorale, por edhe si të ftuar e të respektuar në vendimmarrje, sidomos kur është fjala për projekte dhe çështje me interes mbarëqytetar. Përtej ndasive politike të qytetarëve, Savo Prifti i fton ata që, së bashku në 8 maj, të votojnë alternativën e dëgjimit të halleve dhe problemeve të tyre dhe jo atë të vështrimit të tyre nga kolltuku dhe nga dritaret e kabinetit të kryebashkiakut, siç ka bërë deri tani kryetari edhe për pak ditë. Savo Prifti ka premtuar se “brenda vitit të parë të mandatit do të çelë zyrën e punësimit, do të hapë shkollën profesionale, do të realizojë reduktimin e taksave të biznesit, për të bërë të mundur zhvillimin dhe fuqizimin e qindra bizneseve…, “Përveç investimeve të qeverisë në rrugën e Palasës, Dhërmiut dhe Jalit, bashkia e Himarës nuk ka rikonstruktuar as rrugët e brendshme. Ne synojmë përmirësimin e infrastrukturës rrugore në të gjithë Bashkinë e Himarës dhe bërjen e qytezës në një zonë turistike ku vizitorët të ndjehen të kënaqur që zgjedhin Himarën për pushimet sezonale. Në këto 6 vjet të qeverisjes së Partisë Demokratike dhe nën kujdesin personal e të vazhdueshëm të Kryeministrit Sali Berisha, në krahinën e Himarës u investua aq shumë, sa as në fantazinë e më optimistit nuk ishte ëndërruar, por qeveria aktuale vendore në Himarë me qëndrimet e saj abuzive, spekulative dhe në kundërshtim me interesat e banorëve, nuk e ka mbështetur realizimin e  shpresës dhe ëndrrës së himariotëve për t’u bërë Himara e tyre dhe e gjithë shqiptarëve  një qendër e madhe moderne  turistike, konkurruese jo vetëm në brigjet e Jonit e të Adriatikut, por  në mbarë Mesdheun- vazhdon Prifti me keqardhje të madhe dhe me premtimin nënkuptueshëm se me të si kryebashkiak kjo gjendje do të ndryshojë shpejt. Sipas programit të kandidatit të “Aleancës për Qytetarin”, për bashkinë e Himarës, Savo Prifti, bashkia e ardhshme do të të miratojë bursa të posaçme për studentët e shkëlqyer si dhe për ata të familjeve në nevojë ekonomike. Përkushtimi dhe përgjegjshmëria e Savo Priftit ndaj të gjithë qytetarëve të Himarës janë shprehur thjeshtë, por plot sinqeritet dhe besueshmëri, edhe në   mesazhin që u ka drejtuar në hapje të fushatës për zgjedhjet e 8 majit: “… Qytetarët e Himarës do votojnë personin tim, si kryetarin  e ardhshëm të bashkisë. Në themel të programit tonë elektoral është zhvillimi harmonik i gjithanshëm turistik, kulturor, agro-bujqësor i krahinës. Por gjithashtu shumë e rëndësishme është rikthimi i qytetarit himarjot në vatrën e tij, ku mund të jetohet dhe të punohet me dinjitetin dhe krenarinë historike të bregasit. Institucioni i Bashkisë dhe zyra e Kryetarit të saj do të zhvendoset nga “Tabu Saraji” i sotëm, në prehrin e halleve dhe shqetësimeve të qytetarit. Slogani “Të marrësh përgjegjësi, të japësh drejtësi”, buron nga “Odiseja” shumëvjeçare e këtij qytetari krenar, që e ka dashur dhe e do gurin dhe dheun e këtij vendi.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›