Papa Gjon Pali II, Shenjtori që ndihmoi Shqipërine dhe Kosovën!
Agonia e kishte munduar deri në çastet e fundit, por më pas gjithçka ishte lehtësuar si me magji. Fusha që zbardhëllonte si në një ditë me diell rrezet e së cilës përthyheshin mbi dëborë, i ishte shfaqur me të gjithë gjerësinë e saj. Ishte natë, por errësira ishte zhdukur, ndërsa ai, me një lumturi të pamatë, ka lënë shtratin e rrethuar me aparaturat e emergjencës për të shkuar atje... te Krijuesi......Ishte ora 21 e 37 min të 2 Prillit 2005 dhe një prej njerëzve më të shquar të botës, Karol Vojtila i mbiquajtur Gjon Pali II, do të ndahej nga kjo botë. Sot me 1 Maj 2011 vetëm 6 vjet nga ndarja e tij me jeten ne toke, Kisha Katolike do të zhvillojë ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Pali II, nëpërmjet meshës madhështore që do të drejtohet nga Papa Benedikti i XVI. Ky lumturim vjen pasi Selia e Shenjtë vërtetoi se Papa Gjon Pali II ka kryer të paktën një mrekulli. Me dekretin e miratuar nga Papa Benedikti XVI, procesi i Lumturimit apo shpallja e Papës Gjon Pali II ‘i bekuar’ shënoi një hap vendimtar drejt shenjtërimit të tij. Vendimtar për këtë hap ishte mrekullia e shërimit të një murgeshe në një manastir francez. Ajo është shëruar plotësisht nga sëmundja e Parkinsonit, pas lutjeve të drejtuara Papa Gjon Palit II, pak muaj pas vdekjes së tij. Ceremonia do të mbahet në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë, ndërsa në meshën solemne do të jenë të pranishëm mjaft personalitete të larta të Vatikanit, drejtues e përfaqësues të lartë të shtetit italian, kryetarë shtetesh të vendeve evropiane e botërore, nje milion pelegrinë, besimtarë e bashkatdhetarë polakë e qytetarë të tjerë nga mbarë bota. Besimtare shqiptare te ardhur nga qytete te ndryshme te Italise. Papa Gjon Pali II vërtet ishte Njeriu i Zotit, i Kishës Katolike dhe i mbarë njerëzimit. 27 vitet e shërbimit të tij në krye te Kishes Katolike zbuluan mendjen e tij të mprehtë, vizionare dhe profetike, zemrën e tij të madhe, të ngrohtë. Vullnetin e tij të fortë dhe të pathyeshëm, veprimtarinë e tij të palodhshme për paqe, drejtësi dhe paqe mes njerëzve, popujve, feve, shteteve, etj.
Me zgjedhjen e Papa Gjon Pali II në krye të pontifikatit u intensifikuan përpjekjet e Selisë së Shenjtë ndaj vendeve komuniste të lindjes e në këtë kuadër dhe ndaj Shqipërisë. Përpjekjet ishin të vazhdueshme për ta nxjerrë Shqipërinë nga errësira ateiste ku e kishte futur sistemi komunist. Ne morinë e këtyre përpjekjeve mund të përmend ato me kryesoret siç ishin p.sh. me 3 shtator 1951, kur Sekretaria e Shtetit të Qytetit të Vatikanit vendosi që Radio Vatikani të flasë edhe në gjuhën shqipe. Shumë besimtarë shqiptare asokohe kërkonin fshehtas valët e radios dhe dëgjonin me shume fshehtësi zërin e Papës. Mjaft prej dëgjuesve u zbuluan nga sigurimi i shtetit dhe u burgosen e u pushkatuan por komunistët nuk e shuajtën tek shqiptarët besimin ndaj zotit. Udha e Radio Vatikanit ne gjuhen shqipe nisi dhe vijon deri në ditët tona pa u ndërprerë asnjë çast. Më 5 tetor 1960, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, Papa Gjon Pali II nga brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e tij të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesin për shqiptaret e vuajtur nën thundrën e diktaturës komuniste. Në homelinë e Meshës së shenjtë, kushtuar martirizimit të të krishterëve në shekuj, Papa sensibilizoi mbarë botën me fjalët: “E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj” Më 6 maj 1988 një grup shqiptarësh të diasporës së Amerikës shtegtuan drejt Romës për t’u takuar me Gjon Palin II. Ishte takimi i parë i drejtpërdrejtë i Karol Vojtilës me shqiptarët - shumica të ikur nga atdheu për t’i shpëtuar diktaturës. Në këtë takim në sallën Klementine në Vatikan u mbajt fjalimi programatik i Papës dhe lutja drejtuar Zojës së Këshillit të Mirë për popullin shqiptar. Këto ngjarje e veçanërisht një tjetër ngjarje me shume rendësi si ajo e vitit 1989 kur u realizua vizita e parë e Nënë Terezës në Shqipëri ishin parapërgatitja e kushteve për një vizitë të mundshme të Papa Gjon Palit II në Shqipëri.
Me transformimet e mëdha që ndodhen ne Shqipëri ne fillim te viteve ’90, të cilat sollën ndryshime ne lidhje me respektimin e te drejtave te njeriut duke lejuar lirinë e besimit dhe distancimin nga politika e periudhës moniste, bënë që të fillonin kontaktet e para edhe me Shtetin e Vatikanit. Në përgatitje të terrenit për të hyrë në kontakte të drejtpërdrejta dhe për të hedhur hapat e parë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shtetit te Qytetit te Vatikanit ndikuan ndjeshëm edhe vizitat e Nënë Terezës në Shqipëri. Por i paharruar do të mbetet kremtimi i Meshëve të para të pas diktaturës e cila kulmoi me kremtimin e Meshës së parë në varrezën e Rrëmajit në Shkodër me 11 nëntor 1990. Ky me shumë së kremtim ishte një rrevolte e popullit të Shkodrës, pa dallim feje katolike e myslimane te bashkuar morën pjesë në kremtimin e Meshës solemne në kapelën e varrezave. Me pas ne 2 qershor 1991 kremtohet Mesha solemne e kryesuar nga Imzot Ercole Lupinaçi, anëtar i delegacionit të Selisë së Shenjtë në Shqipëri. Të gjitha këto kishin për qellim jo vetëm ringjalljen e besimit tek zoti por dhe demonstrimin e protestës ndaj diktaturës së sistemit komunist. Me 7 Shtator 1991 rivendosen marrëdhëniet diplomatike në rang Nunciature Apostolike për Selinë e Shenjtë dhe Ambasade për Shqipërinë. Nunc i parë Apostolik emërohet prelati indian, Imzot Ivan Dias (sot Kardinal ne Vatikan). Me 28 prill 1993 Ambasadori i parë Ëilly Kamsi paraqiti letrat kredenciale pak ditë para shtegtimit të Papës Gjon Pali II drejt Shqipërisë. Pas vendosjes se marrëdhënieve diplomatike në mes të Shqipërisë dhe Selise se Shenjte u krijuan mundesite per rritjen e bashkëpunimit dypalësh. Një pikë kulmore është vizita e Papës në Shqipëri me 25 prill 1994. Atit te Shenjtë iu rezervua një pritje e shkëlqyer nga populli shqiptar. Se bashku mysliman, ortodoks e katolik pa dallim priten njeriun me te madh i cili dha kontributin kryesor për rrëzimin e sistemit komunist në Europën Lindore. Vizita e Shenjtërisë së tij që një mbështetje morale dhe politike për Shqipërinë.
Papa Gjon Pali ishte kështu i pari Papë në histori që puth tokën shqiptare. Ai erdhi për të rikonfirmuar identitetin perëndimor të popullit të Kastriotit, Papa Klementit XI-Albani e të Lumnuemes Nënë Tereza, për ta rikthyer Shqipërinë në Europën Perëndimore. Pas përshëndetjeve të rastit në Rinas, së bashku me Nënë Terezën dhe personalitetet shqiptare ai u nis drejt qytetit te lashte të Shkodrës dhe ndaloi të rrenojat e kishës se dikurshme “Zoja e Këshillit të Mirë”. Papa Gjon Pali II gjatë vizitës i dhuron Kishës së martirizuar hierarkinë e re të pasdiktaturës - katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Illinë, Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert Ashtën dhe Imzot Zef Simonin. Në datën 26 nëntor 1994, u mbajt nga ana e Papës Gjon Pali II Koncistori për caktimin e 30-të kardinalëve të rinj, ndër të cilët ishte dhe kardinali i parë në historinë e katolicizmit shqiptar Mikel Koliqi, 92 vjeç, i cili ka qenë i burgosur për 38 vjet. Selinë e Shenjtë në Vatikan e kanë vizituar të gjithë Presidentet dhe Kryeministrat e Shtetit Shqiptar mbas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ne vitin 1991, të cilët janë pritur në audiencë nga Papa Gjon Pali. Me 1 Gusht 2004 Papa Gjon Pali II u krijon mërgimtarëve shqiptarë në Itali mundësinë të mblidhen në një kishë për të përmbushur nevojat e tyre shpirtërore në gjuhë shqipe. Përurohet për besimtarët shqipfolës, Kisha e Shën Gjonit të Mullagave në lagjen romake Trastevere. Jo pak, por një kontribut i çmuar për popullin shqiptar.
Kontributi per Kosovën shumë i madh. Ndoshta dhe i paimagjinueshëm. Të panumërta kane qenë ndërhyrjet e Gjon Palit II për fatet e Kosovës e të shqiptarëve të krahinës, sidomos në vitet 1998-99, në çastet më dramatike për vendin e popullsinë. Për shembull më 8 mars 1998 Papa shprehu shqetësimin për situatën dramatike në Kosovë dhe u lut për popullin shqiptar në Kosovë, ndërsa me 7 qershor 1998 Papa i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për paqe në Kosovë. “Jo larg nesh – theksonte Papa – në Kosovë, opsionet e dhunshme, shtypja, ikja e popullsive nuk mund të mos e shqetësojnë bashkësinë ndërkombëtare, me bindjen se kërkimi i rrugëzgjidhjeve paqësore, të vendosura në tryezën e bisedimeve, kërkojnë durim e guxim”, e me vone me 9 gusht 1998 në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Ati i Shenjtë shprehet: “Mendoj posaçërisht për banorët e Kosovës, ku dhuna dhe kushtet e jetesës të popullsisë vijojnë të bëhen gjithnjë më dramatike”, ndërsa me 4 tetor 1998 gjatë lutjes Papa i këshillon palët në konflikt të ecin në rrugën e dialogut, ndërsa i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të mos qëndrojë duarkryq, por të japë ndihmesën e vet që vlerat si mirëkuptimi, respekti reciprok, falja e pajtimi t’i zënë vendin dhunës e shkatërrimit. Papa dërgon në Shqipëri Imzot Cordes, kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum, organizëm i Vatikanit, i caktuar për të asistuar refugjatët e për t’u shpërndarë ndihmat humanitare. Në mesazhin dorëzuar Prelatit për refugjatët kosovarë, thekson: “Fëmijëve, nënave, pleqve që do të takosh, thuaju se Papa është me ta e me ta do të jetë përherë, derisa të gëzojnë një paqe të drejtë e të qëndrueshme”.
Papa me i ri në shekullin e XX, ishte vetëm 58 vjeç, kur u foli të pranishmeve në sheshin “Shën Pjetri”: “Mos kini frike. Fuqia e Shpirtit të Shenjte është me ju.” Këto impresione me ndiqnin në çastin kur i dorëzova kredencialet me 10 Maj 2002. Po takoja njeriun më të famshëm e më të fortë të botës. Në historinë tonë kombëtare, përkrah Papa Klementit XI-Albani me origjinë shqiptare, Papa Gjon Pali II mbetet një prej miqve më të vyer të popullit shqiptar. Mirënjohja është virtyt i popujve të qytetëruar dhe i shoqërive të emancipuara, ndaj mirënjohja ndaj tij është një tregues i rëndësishëm për ne. Kurrë nuk duhet harruar se Papa Gjon Pali II është i pari Papë në histori, që puthi tokën shqiptare, token ku, së pari, Shën Pali Apostull predikoi fenë e Jezu Krishtit. Pesë shekuj me parë drejt tokës së shqiponjave u nis, por mbeti në Ankona, Papa Piu II, i cili në aleance me aleatin e Krishtit, heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin, planifikonte t’u vinte ne ndihme popujve të shtypur të pjesës lindore të kontinentit evropian. Papa Gjon Pali II në fjalët e tij që i rridhnin poshtë kokës së kërrusur e që i dilnin nga buzët që po fishkeshin ngadalë nga sëmundja, vlerësonte gjithmonë lart Shqipërinë dhe falënderonte popullin shqiptar që i ka dhënë botës edhe një shenjtore, siç është Nënë Tereza, bijën e madhe të popullit tonë. Me kujtohen fjalët e Papa Gjon Palit II për Nënë Terezën: “Edhe në kohet e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e përvuajtur e më të varfërve që përçonte në të gjithë botën emrin e atdheut tuaj. Me personin e Nënë Terezës, Shqipëria është nderuar gjithmonë” Papa Gjon Pali II e donte Shqipërinë, i donte shqiptaret, këtë e kam dëgjuar e ndjerë sa herë kam pasur rastin ta takoj gjatë mandatit tim të ambasadorit. Lidhjet diplomatike midis shtetit shqiptar dhe shtetit të Vatikanit (i pari shtet në botë që njohu pavarësinë e Shqipërisë) u ndërprenë ne vitin 1945, kur delegati apostolik monsinjor Leoni Nigris u nxor jashtë nga Shqipëria komuniste si “persona non grata”. Me Kushtetutën e vitit 1967, shteti shqiptar i drejtuar nga E. Hoxha, shpallet si i vetmi shtet ateist në bote. Klerit katolik shqiptar, i cili pa asnjë mëdyshje përbente esencën e inteligjencës se kombit, u masakrua në mënyrë të paparë qysh prej kohës së martireve të parë të krishterimit. Papa Gjon Pali II ishte burgosur nga komunizmi, ndaj ishte koshient me shume se kushdo në Perëndim për rrezikshmërinë e këtij sistemi shoqëror.
I dashur, i vlerësuar, sigurisht një protagonist, një drejtues botëror. Gjon Pali II, papa që e ka drejtuar Kishën nga mijëvjeçari i dytë deri në mijëvjeçarin e tretë, i ka dhënë një pamje pa precedentë mbare botës në vite qe drejtoi Selinë e Shenjtë, Është papa i të drejtave njerëzore dhe i solidaritetit, i dinjitetit të punës, i rreptësisë fetare. Do të mbetet në histori mbi të gjitha sepse ishte një nga shkaqet kryesore të rënies së Murit. Ishte i vetëdijshëm: kur mbushi 75 vjeç, më 1995, e falënderoi Zotin që po jetonte “në një moment të zhvillimeve të epokës për Evropën, për botën dhe për Kishën”. Sigurisht, Papa Gjon Pali II ishte njeriu i madh, që luajti një rol vendimtar ne skenën ndërkombëtare të shekullit të njëzetë e që la gjurmë të pashlyeshme edhe për vitet e këtij shekulli. Kishës Katolike dhe krishterimit Gjon Pali i dytë i ka lenë modelin e njeriut që vuri në qendër të jetës së tij një program jete që ndriçon dhe udhëheq në mënyrën më të shkëlqyeshëm të gjitha veprimtaritë shoqërore të njerëzimit.