E Diel, 1 Nëntor 2026

“Lets Dance”, në Ditën Ndërkombëtare të Kërcimit!

Autori i Lajmit: Redaksia

Dita Ndërkombëtare e Kërcimit festohet edhe në Tiranë. Sonte në mbrëmje një koncert i madh do të organizohet në sheshin përpara Akademisë së Arteve, ku element kryesor do të jetë kërcimi. E nëse keni nevojë të shkarkoni energjitë negative, të ndieni kënaqësitë e shpërthimeve artistike në balet, por edhe të shihni balerinët profesionistë që kërcejnë në skenë, këtë mund ta bëni në “Ditën Ndërkombëtare të Kërcimit”, një event që festohet në shumë vende të botës, vjen sonte në mbrëmje për herë të parë në Shqipëri. Një event i madh që vjen përpara publikut kryeqytetas nga Roberta Mone dhe regji të Sonila Kapidanit, me një staf profesionistësh për të festuar këtë ngjarje të rëndësishme kulturore që zhvillohet në të gjithë botën. Kërcimi është disiplinë, punë, mësim, komunikim. Nëpërmjet tij ne themi fjalë që ndoshta të tjerët do të ishte e vështirë ti kuptonin dhe flasim një gjuhë universale për të gjithë. Kjo na jep kënaqësi, na bën të lirë, na pajis ne qenieve njerëzore me mundësinë që të fluturojmë si zogjtë, duke na afruar më shumë me hyjnoren, me pafundësinë. 2010-ta është hera e parë që e bën Shqipërinë pjesë të festimit mbarëbotëror të këtij eventi. Do të jetë një spektakël prej 2 orësh, pjesë e të cilit mund të jetë edhe vetë publiku, me moton: “Lets Dance on the Its International DanceDay!”. Është një eveniment që festohet në të gjithë botën që në 29 Prill të vitit 1982, i krijuar nga Këshilli Internacional i Kërcimit dhe UNESCO. Kjo ditë përkujton ditëlindjen e Zhan Zhorzh Noverit i cili ishte një nga reformatorët e famshëm të kërcimit. Kjo ditë i kushtohet gjuhës që gjithkush nga ne mund të flasë, gjuhës së trupit dhe të shpirtit. Pyetur për qëllimin dhe mesazhin që kjo ditë përcjell, Roberta Mone, drejtore artistike e këtij eventi thotë: “Kjo ditë inkurajon njerëzit e të gjithë moshave, artistët e të gjitha zhanreve të festojnë së bashku në një ditë të vetme. Kjo ngjarje kulturore mundësohet nën kujdesin e veçantë të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Spektakli do të përcjellë ritme të ndryshme muzikore ndërthurur me mjeshtëri nga artistë të rinj të Akademisë së Arteve në ritmin e Tangos, trupa e qendrës “ Lets Dance” me zhanrin modern dhe profesionistë në kërcimet latine, gjimnastika ritmike dhe valle të traditës folklorike shqiptare. Art Kërcimi është arti më i bukur, më i ndjerë, më artikulues, më superior se gjithë të tjerët, kjo sepse nëpërmjet kërcimit nuk mundohemi të përkthejmë jetën, kërcimi është vetë jeta. "Halili dhe Hajria" njihet si baleti i parë shqiptar me tri akte. Subjekti është mbështetur në dramën me të njëjtin emër të Kol Jakovës dhe pak a shumë tregon për qëndresën e malësorëve kundër shtypjes otomane në Shqipëri. Për koreograf ka pasur Panajot Kanacin me muzikë të Tish Daija dhe në skenë është vënë në vitin 1963. Ndërkohë që sot, shumë prej balerinëve të talentuar shqiptarë shëtisin skenat më të mëdha dhe prestigjioze të botës. Kështu një nga koreografët më të mëdhenj të këtyre 20 viteve të fundit kryesisht në Europë, njihet koreografi me origjinë shqiptare Angelin Preljocaj.
Historik mbi artin e kërcimit
Njerëzit nuk janë të sigurt akoma se kur ishte saktësisht periudha e fillimeve të artit të kërcimit. Një mendim është se njerëzit kanë kërcyer edhe më herët se vetë sapiensat njiheshin si specie. Dhe është pak a shumë e logjikshme, pasi edhe parasë njerëzit të mësonin të flisnin ata i shprehnin emocionet e tyre nëpërmjet veprimeve (pak a shumë në të njëjtën mënyrë vepron sot baleti modern). Megjithatë të mendosh për balet më të mirëfilltë (më të qëllimshëm si të tillë), njeriu konsiderohet të ketë filluar këtë veprimtari artistike kur ai filloi të kërcente për kënaqësi apo arsye shpirtërore. Fillimet e para të kërcimit (disi të dokumentuara) njihen të kenë qenë në civilizimet e lindjes së mesme si dhe në Indi apo midis njerëzve të Australisë, Afrikës dhe Amerikës. Një nga Zotërit e Hindu, Shiva ose siç njihej ndryshe Nataraja, Zoti i Kërcimit, është "dokumentuar" si një njeri me shumë krahë i cili qëndronte vetëm në një këmbë. Format e para të kërcimit duket se i kanë pasur fillimet në Indi rreth 6000 para Krishtit. Duke studiuar Dinastinë e Parë të Egjiptit (rreth 3000 p.k.) , arkeologët kanë gjetur reliev të cilat tregojnë njerëz duke kërcyer apo duke përdorur në një farë mënyrë "gjuhën e trupit". Ndërsa njerëzit e Australisë, Afrikës dhe Amerikës mendohet të kenë kërcyer për çdo arsye. Gëzime, vdekje, çështje shpirtërore apo thjesht për kënaqësi. Kërcimet e tyre influencojnë format e kërcimit edhe në ditët tona. Ka pasur shumë balete (sidomos në Amerikën e Veriut) të cilat janë bazuar në legjendat e njerëzve të parë. Kërcimet e australianëve të parë si dhe kërcimet afro-jazz njihen edhe sot si forma kërcimi në të gjithë botën.

Ky lajm është publikuar: 29/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›