E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr në Parlament, Thaçi shkarkon zv.ministrin

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur të shkarkojë nga detyra zëvendësministrin e Industrisë dhe Tregtisë, Naser Osmani, pas një përplasje të pazakontë dhe një sërë fyerjesh që ndodhën dje në Kuvendin e Kosovës. 

Seanca e rregullt plenare është ndërprerë dje për shkak të një përplasjeje verbale mes ministrit të Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, Fatmir Limaj dhe zv.ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Naser Osmanit, i cili përdori fjalë fyese ndaj qeverisë. Sipas njoftimeve nga Kosova, mosmarrëveshjet ndërmjet ministrit Limaj dhe zv.ministrit Osmani erdhën në kohën kur kërkesa e qeverisë, për emërimin e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit nuk mori mbështetjen partnerit në koalicionin e LDK-së dhe kjo pikë e rendit të ditës së bashku me dy pika të tjera u tërhoqën nga rendi i ditës. Përplasja ndërmjet Limajt dhe Osmanit ndodhi në kohën kur ministri Limaj, në emër të ekzekutivit të vendit deshi të arsyetojë kërkesën për emërimin e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, por është kundërshtuar nga ana e deputetit Osmani, i cili i ka thënë se Limaj “nuk ka të drejtë të flasë në emër të qeverisë” dhe ka thënë fjalë fyese për qeverinë aktuale, ku më pas ministri Limaj i është kundërpërgjigjur Osmanit, se “për këtë çështje do të merremi vesh pas seancës”. Pas replikave të ashpra, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, mori vendim ndërprerjen e seancën për 15 minuta. Në vazhdim të seancës së rregullt plenare, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe zëvendësministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Naser Osmani, i tërhoqi fjalët fyese ndaj qeverisë, të cilat ndikuan në tensionimin e raporteve në Kuvend dhe në ndërprerjen e seancës së rregullt plenare. Kryeministri i Kosovës mori vendimin për shkarkimin e z. Osmani në mbështetje të nenit 94.1 dhe 94.4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. “Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit”, thuhet në vendim, ndërsa detaje të tjera nuk paraqiten në njoftimin zyrtar.

Basha: Beogradi po tallet me serbët

Tirana zyrtare ka reaguar dje ndaj vendimit të serbëve në Kosovë për të ngritur struktura paralele. Duke folur në një konferencë për shtyp me homologun rumun, kreu i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, deklaroi se, “Strukturat paralele kanë marrë një përgjigje të qartë si nga Brukseli ashtu dhe nga Neë York-u. Ato nuk kanë asnjëfarë legjitimiteti. Ato në thelb janë një impozim i shëmtuar i qarqeve të caktuara të Beogradit, një tallje e Beogradit me vetveten dhe me serbët e Kosovës, të cilët të ardhmen e tyre e kanë në Kosovë si një minoritet, i cili në bazë të “Paketës Ahtisari” gëzon të drejtat më të mëdha historikisht të njohura ndonjëherë në rajonin tonë apo më gjerë”. Sipas tij, e ardhmja evropiane e Kosovës dhe e gjithë rajonit do të jetë më e sigurt kur fqinjët të adoptojnë qëndrime të bazuara në respektin reciprok ndaj integritetit të njëri-tjetrit.

Grupi Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën
Grupi Ndërkombëtar Drejtues (ISG) për Kosovën ka lëshuar një deklaratë, në të cilën thuhet se “ISG mirëpret përparimin e bërë nga Kosova pas Shpalljes së Pavarësisë dhe mirëpret hyrjen në fuqi të Kushtetutës e 41 ligjeve të domosdoshme për zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin. ISG mirëpret rikonfigurimin e UNMIK-ut, OKB-së e dislokimin e EULEX, si dhe shpreh vlerësimin e saj për Presidentin e Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiun.

Nis demarkacioni Kosovë-Maqedoni
Prishtina dhe Shkupi nisën dje shënimin e vijës kufitare sipas parashikimeve të planit të Ahtisarit (sipas marrëveshjes të vitit 2001). Pika e parë kufitare është vendosur në Sherupa në malin Sharr. Shënimi nisi në prani të autoriteteve kosovare, maqedonase, ndërkombëtare dhe ambasadës shqiptare në Shkup. Kufiri është 150 km i gjatë dhe, sipas autoriteteve, procesi i demarkacionit do të përfundojë gjatë muajve të verës i përshpejtuar.     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›