E Diel, 1 Nëntor 2026

“Më shumë kujdes për fotografinë shqiptare”

Fotografinë e ka pasion dhe nuk mund të mos bënte diçka për të në 150-vjetorin e krijimit. Studiuesi dhe njohësi i mirë i fotografisë, Qerim Vrioni, dje ka organizuar një aktivitet për foton shqiptare. 

ANILA MEMA

 E ideuar si një workshop për fotografinë, duke përzgjedhur dhe shfaqur në një video-projektor më të mirat e shekullit XIX dhe XX, aktiviteti i organizuar në Galerinë Kombëtare të Arteve, ka zgjatur mëse një orë. Por sot, pas 150 vjetësh, sipas studiuesit Vrioni, për fotografinë shqiptare duhet të ketë më shumë konkurse për ta vlerësuar, duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje dhe padyshim të njihet autorësia.
Ku i ka fillesat fotografia jonë?
Fotografia shqiptare ka nisur me Pjetër Marubin, një italian nga Piaçenza, i cili mbolli për herë të parë artin e fotografisë në Shqipëri. Më pas, mori një ndihmës Kel Kodhelin, që njihet si Kel Marubi. Por fotografi shqiptare kemi edhe në Korçë, Janki Zevo, një prift mësues që ka fotografuar në 1870, pastaj më vonë vëllezërit Manaki, pastaj piktori Kol Idromeno, i cili krijoi togfjalëshin, “Dritëshkronja e Kolës” e më pas “Dritëshkronja Marubi”. Por në përgjithësi dy kanë qenë qendrat e fotografisë në Shqipëri, Korça edhe Shkodra.
Cila është fotoja e parë që është shkrepur?
Fotografia e parë është e Hamz Kazazit, një figurë e njohur të cilën e fotografoi Petro Marubi. Është një burrë, që ka dalë me një armë në brez. Kjo është fotografia e parë. Por mund të ketë pasur edhe ndonjë tjetër, por kjo ka ngelur dhe kjo njihet si e para.
Si duhet të jetë fotografia?
Fotografia duhet t’i rezistojë kohës, të jetë fotografi historike, dokumentare, peizazh a portret kjo s’ka rëndësi. Thjeshtë duhet t’i rezistojë kohës. 
Nga koha kur aparatet ishin me xham e deri sot në kohën e dixhitalit, për fotografinë ka ndonjë ndryshim?
Pavarësisht teknikës që është përdorur, nuk ka ndryshime. Dixhitalizimi është interesant, se aparatet e tillë janë lehtësues, por prapë në fund peshën e ka syri i fotografit, që është i pazëvendësueshëm. Puna më e madhe është tek ai, se çfarë do kuadrojë, si do e kuadrojë. Nuk ka rëndësi teknika. Ajo thjesht lehtëson punën.
Sipas jush, cila ka qenë periudha më e ndritur e fotografisë, apo ky vlerësim bëhet sipas emrave?
Nuk mund të përcaktosh periudha, pasi fotografi të bukura janë bërë nga Pjetër Marubi, Kel Marubi, Kol Idromeno, vëllezërit Manaki, që kanë një fotografi të “Kongresit të manastirit”,
Kristaq Sotiri po ashtu ka bërë portret shumë të bukur psikologjik, ka bërë dhe peizazhe, pastaj kemi Ristanët, të cilët krijuan një studio që e shkruanin sipër “Shtëpi për artet fotografike”.
Në ç’periudhë ndodhet sot fotoja shqiptare, në krye të 150 viteve?
Fotografia shqiptare ka shumë talente, por nuk i kushtohet ai kujdes që meriton si art pamor. Fakti që ka tre vjet që nuk organizohet konkursi “Marubi”, ky është një ngërç për fotografinë shqiptare dhe të mendosh që kjo fotografi ka filluar 150 vjet përpara dhe në vitet 2006-2008 të mos organizohet konkursi “Marubi është diçka jo normale. Këto më nxitën që të merrem me këtë organizim. Fotoja shqiptare sot është e shpërndarë shumë dhe meriton vëmendje, do nisma serioze, është një nga artet shqiptare pamore më të vlerësuara. Fotograf të talentuar ka shumë, ka djem edhe vajza, ka fotoreporter të talentuar dhe që janë interesante, vetëm kanë një të keqe se nuk vihen emrat e tyre poshtë. Duhet të vihet se kështu krijohet individualiteti i fotografit. Puna e tyre është krijim, derisa sa është i tillë, duhet t’i vihet autorësia.
Kemi ne një temë që dominon në fotot tona?
Jo, nuk kemi një temë të caktuar, pasi janë të përfshira të gjitha temat, që nga patriotikja, ka tema sociale, gjendja ekonomike, fotografi dokumentare, historike, peizazhe, portrete.
Vlerësimi i fotografisë mund të bëhet vetëm nëpërmjet konkurseve?
Po, dhe unë mendoj se përveç “Marubit” duhen organizuar dhe konkurse të tjera të stimuluara nga institucione të ndryshme. Mund të bëhen konkurse me tematikë të veçantë për portretin a peizazhin. Por fotografia do gjithmonë autorin, emrin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›