E Shtunë, 31 Tetor 2026

Levan, fermerët në protestë për tokën

Fermerët e Komunës së Levanit në rrethin e Fierit protestojnë për vonesat
në shpronësimet e pronave të tyre, që preken nga gjurma e autostradës
Levan-Tepelenë. Mbi 70 fermerë kanë bllokuar dje në mëngjes
rrugën hyrëse të komunës, si dhe për pak minuta rrugën nacionale Fier-Vlorë.
Fermerët protestues pretendojnë se edhe pse punimet për autostradën kanë
ditë që kanë nisur sërish, shumë prej tyre ende nuk janë dëmshpërblyer nga
shteti. "Nuk i kemi marrë ende lekët e shpronësimeve. Punimet e autostradës
kanë nisur dhe ne si të dëmtuar ende nuk jemi shpronësuar. Ky është një
abuzim që bëhet mbi ne nga qeveria", thotë Sherif Rustemi, banor i Levanit.
Protestuesit pretendojnë se firma që po kryen punimet në autostradë ka
dëmtuar edhe sipërfaqet e mbjella me grurë, të cilat do të korreshin pas dy
muajsh. Ndërkohë, përfaqësuesi i tyre, Sokrat Petani, tha për "Shqip" se do t‘i
përshkallëzojnë protestat e tyre deri në grevë urie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›