Levizja Nano kunder deklaratave te Berishes

Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve në një deklaratë për shtyp të ditës së sotme ka sulmuar ashpër qeverinë duke shprehur një qëndrim të prerë dhe të qartë kundër Kryeministrit Sali Berisha. “Zhgënjim” e quan sjelljen e Kryeministrit Berisha kjo lëvizje, duke iu referuar fjalës së tij në marrjen e Presidencës së Këshillit të Europës, e cila e trajtonte këtë fakt si “një sukses personal të Kryeministrit.” “Shqiptarët nuk e meritojnë një Kryeministër të tillë bllokues, pengues, të paaftë, dështakokratik dhe ngercokratik” thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga kjo lëvizje.
Ndërkohë Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve ka shprehur qëndrimin e saj edhe për çështjen e reformës zgjedhore, duke i kërkuar kuvendit të miratojë sa më parë, me konsensus të plotë dhe parimor, një Kod Elektoral që shenjtëron votën e lirë dhe barazinë e votës sipas standardeve të BE. Lëvizja Progresiste Nano përshendet fitoren e arritur nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave, duke detyruar KQZ, apo ristanokracinë që të pranojë referendumin. Kjo është një fitore europiane e qytetarëve shqiptarë në këtë 100 vjetor të shtetit shqiptar.
Megjithëse është ende e paqartë mbështetja në elektoratin socialist tëkësaj lëvizjeje duket se ish lideri i të majtës ka zgjedhur të bëjë opozitën e fortë ndaj qeverisë Berisha, duke shfrytëzuar hapesiren boshe që ka lënë Partia Socialiste në këtë periudhë konsensusesh. “Progresistët Europiane të bashkuar në Lëvizjen Nano synojnë të shndërrohen në promotorë bashkimi të popullit opozitar dhe të të gjithë faktorëve politike opozitare, që të gjithë së bashku, ta mundim Sali Berishën” thuhet në njoftimin për shtyp.