E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagon Kryeministria: ”Jemi transparentë me donacionet për Gërdecin”



Kryeministria ka reaguar menjëherë mbas deklaratës së kreut të opozitës Edi Rama, i cili u shpreh se qeveria nuk duhet të përdorë donacionet e qytetarëve për Gërdecin si një fond të vetin si dhe që çdo donacion të mos shkojë në buxhet por te banorët e dëmtuar. Drejtori i Informacionit pranë Këshillit të Ministrave, Grid Rroji, u shpreh dje se qeveria ka vendosur transparencë me fondet për rindërtimin e fshatit Gërdec. “Sot, në serialin e akuzave për tragjedinë e Gërdecit, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama akuzoi qeverinë për vendimin e saj, i cili vendos transparencë të plotë me fondet e dhuruara për Gërdecin, duke e quajtur atë si një vendim të padrejtë. Qeveria sqaron se është e vendosur të kompensojë plotësisht të gjitha dëmet e shkaktuara nga kjo fatkeqësi dhe në një kohë sa më të shkurtër. Qeveria falënderon të gjithë individët, organizatat dhe vendet mike për ndihmën që kanë dhënë. Përfshirja e tyre në fondin e kompensimit të banorëve të zonës së Bashkisë së Vorës ka një qëllim dhe vetëm një: shpërndarjen transparente të tyre për të gjithë banorët dhe jo favorizimin e disave dhe harrimin e të tjerëve. Z. Rama, para se të ndërmarrë fushata të tilla shpifjesh dhe trillimesh, të ngarkojë grupin e tij parlamentar për të kontrolluaar në çdo qindarkë fondin për tragjedinë e Gërdecit dhe shpërndarjen e tij, sikundër e ftojmë z. Rama, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, të mobilizojë fonde, donacione dhe dhurata nga bashkia e kryeqytetit për banorët e zonës së Vorës”, - u shpreh Rroji.

31 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›