E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunohen e vidhen varrezat publike të Fierit

13/12/2010  FIER- Bastisen varrezat publike të qytetit të Fierit. Vetëm brenda një jave, dhe në këto varreza rezultojnë të jenë vjedhur zbukurime e sende me vlerë, të cilat kapin një shifër prej 2.5 milionë lekësh të vjetra. Konstatimi është bërë dje në mëngjes përgjegjësi i varrezave Edmond Strati, i cili ka deklaruar se më tepër janë vjedhur vazo bronzi, të cilat shiten në treg me një vlerë të konsiderueshëm lekësh. “Na kanë dhunuar gjatë natës shumë varre. Grabitjet janë bërë kryesisht në varre të reja ndërsa është synuar që të merren çfarë është gjetur në sipërfaqe, por sidomos gjerat me vlerë sikurse janë sendet e bronzit vazo, qypa etj. Vetëm mbrëmë janë vjedhur 22 varre. Ndërkohë para një jave u vodhën edhe 10 të tjerë” ka vijuar Starti. Megjithëse është bërë denoncimi në polici, ende nuk ka autorë të dyshuar”. Kemi bërë denoncim qysh javën e parë kur na ndodhi, por nuk ka asnjë të dhënë për autorët. Jemi të shqetësuar për këtë fenomen. Po dhunohen varret duke bërë që të afërmit të ndihen keq”, ka vijuar Strati. Dhunimi i varrezave të Fierit nuk është rast i panjohur. Edhe kohë më parë në këto sipërfaqe ka pasur probleme. Dhunimi i varreve është kthyer tashmë në një fenomen të përditshëm për sa kohë ende nuk ka pasur fajtor të vënë përballë ligjit. Reagime ka pasur dje nga familjarët, të cilët më shumë se sa sendet e vjedhura janë ndier të fyer dhe të pambrojtur, duke treguar se kështu dhunohet imazhi i të afërmve të tyre të ikur nga kjo botë. A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›