E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në gjyq 2 shurdhmemecë, vodhën automjetet

10/05/2010 Akuzohen për vjedhjet e kryera nëpërmjet adresave elektronike Yahoo e Facebook

Flamur Metoshi dhe Rome Rakipi u kapën gjatë operacionit “heshtja”

TIRANË- Prokuroria përfundon hetimet për dy të rinjtë shurdhmemecë të akuzuar për vjedhje të pasurisë. Flamur Metoshi dhe Romeo Rakipi janë dy të pandehurit, të cilët nëpërmjet një kërkese bërë nga avokati mbrojtës pretendojnë se janë shurdhmemecë. Dosja e dërguar dhe hedhur në short në gjykatë mban numrin 1391. Antonela Prendi ka marrë këtë dosje dhe shumë shpejt do të fillojë shqyrtimin e akuzave kundër tyre. Të pandehurit e këtij procesi akuzohen nga Prokuroria e Tiranës se kanë përmbushur akuzën e “vjedhjes së pasurisë”, së kryer në bashkëpunim. Sipas hetimeve, Flamur Metoshi dhe Romeo Rakipi në sajë të operacionit të koduar “heshtja” më 19 janar të këtij viti, janë arrestuar për vjedhje të kryer në bashkëpunim. Të dhënat tregojnë se dy të pandehurit në bashkëpunim edhe me A.I, 16-vjeç, dhe I.I, 26-vjeç, të cilëve iu është ndarë dosja, dyshohet se kanë kryer vjedhjen e automjeteve duke përdorur një skemë krejt të veçantë, gjuhën e memecëve, si dhe adresat elektronike, Yahoo dhe Facebook. Nga hetimet e kryera për një periudhë njëmujore përpara arrestimit të tyre 4 muaj për të zbardhë komplet ngjarjen ka rezultuar se dy të pandehurit shurdhmemecë i realizonin vjedhjet e kryera duke komunikuar me shenja të veçanta midis tyre, ndërsa dy personat e tjerë që dyshohet se janë bashkëpunëtorë të tyre komunikonin në mënyrë elektronike, ku edhe Prokuroria ka arritur të depërtojë në adresat e tyre elektronike. Nga hetimet dyshohet se më 17 shtator 2009, të pandehurit dyshohet se kanë vjedhur automjetin me targa TR 2997 K, në rrugën “Pandi Dardha” në Tiranë dhe më datë 20 nëntor 2009, kanë vjedhur automjetin e markës “Benz 240”, ngjyrë gri, në Vorë. Ndërkohë, gjatë muajt dhjetor të vitit që kaloi, dyshohet se kanë kryer edhe vjedhjen e dy automjeteve të tjera, ku më datë 22 dhjetor kanë vjedhur automjetin me targa TR 8344 C në rrugën “Ramazan Shijaku” dhe natën e Vitit të Ri dyshohet se në bulevardin “Zogu i Parë” kanë vjedhur automjetin me targa TR 5983 J. Sipas hetimeve të Prokurorisë, ka rezultuar se dy të pandehurit pas realizimit të vjedhjeve të automjeteve kryesisht të markës Benz, i dërgonin në qytetin e Durrësit me qëllim shitjen e tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›