Lezhë; Tentojnë të grabisin me armë lokalin, pranga dy personave
Tentojnë të kryejnë një grabitje me armë në një lokal, arrestohen nga policia. Kanë qenë dy të rinj nga Lezha, të cilët kanë tentuar të grabisin disa persona që po festonin në një lokal, i cili ndodhej pranë autostradës Lezhë – Fushë-Krujë, tek vendi i quajtur ‘Kryqëzimi i Tales’, por ata kanë dështuar në planin e tyre pasi pronari i lokalit ka mundur t’i dallojë dhe menjëherë ka njoftuar policinë. Ata janë larguar nga vendi i ngjarjes me dy automjete, por arrestimi i tyre është bërë i mundur pasditen e djeshme nga efektivat blu të Lezhës. “Për dy të rinjtë, Emiliano dhe Gjergj Toma, përkatësisht 31 dhe 29 vjeç, banues në qytetin e Lezhës, janë ngritur akuzat “vjedhje me armë e mbetur në tentativë”, “armëmbajtje pa leje” dhe “kundërshtim i forcave të rendit”, kanë sqaruar burime zyrtare policore. Mësohet se në cilësinë e provës materiale, atyre u janë sekuestruar një automatik dhe një pistoletë.