E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, gjykata heq nga burgu oficeren e bankës



LEZHE - Lirohet nga burgu ish-oficerja e bankës, e arrestuar për mashtrimin me kredinë 10 milionëshe. Gjykata e Lezhës vendosi ndryshimin e masës, nga burg, në atë të arrestit shtëpiak për Migena Shemen. Ky vendim, i marrë pak orë pas arrestit të Shemes, bashkë me 3 persona të tjerë, ka përplasur gjykatën me policinë dhe prokurorinë e rrethit të Lezhës. Mësohet se 32-vjeçarja, me detyrë ish-oficere kredie në “Raifeissen Bank”, dega Lezhë, disa orë pas ndalimit të së hënës ka shfaqur probleme shëndetësore, duke u transportuar në spital. Nisur nga ky fakt, në gjykatë është kërkuar ndryshimi i masës nga avokati, duke bërë që trupi gjykues të përcaktojë një tjetër masë sigurie për Shemen, ndërsa të tjerët do të paraqiten sot në seancën gjyqësore. Burime të policisë dhe të prokurorisë, të cilët e akuzuan Shemen për mashtrim në kredi, shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, të kryer në bashkëpunim, kërkuan arrestimin e saj. Ata janë shprehur të habitur nga ndryshimi i masës, edhe pse nuk përkonte me afatin zyrtar para dërgimit në gjykatë. Personat e tjerë të arrestuar janë: Haxhi Haxhia, administrator i një firme që merrej me tregtinë e armëve të gjahut, Martin Gjokhilaj dhe Nikoll Ndoj. Burime nga grupi hetimor thonë se janë nën proces verifikimi persona të tjerë, pasi kanë bërë veprime për të tërhequr kredi nga banka. Vlera totale është 10 milionë lekë dhe asnjë pjesë e saj nuk është shlyer. r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›