E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria vendim për rritjen e çmimeve



Të gjitha shërbimet që qytetarët përfitojnë nga profesionet e lira, do të kushtojnë 20 për qind më shumë. Qeveria ka vendosur dje të fusë në skemën e TVSH edhe noterët, avokatët, dentistët, mjekët, deri te vlerësuesit e pronave. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është 20 për qind, dhe po kaq pritet të rritet edhe çmimi i shërbimeve të ofruara nga këto profesione. Ndryshimi i ligjit për TVSH, vjen vetëm pak muaj pas aprovimit të përfshirjes së biznesit të vogël, deri në 5 milionë lekë xhiro në vit, në skemën e TVSH. Duke qenë se TVSH është një taksë që paguhet direkt nga konsumatori, atëherë edhe faturat për këto shërbime do të rriten me 20 për qind. Deri tani, për mjekimin e dhëmbit, apo për noterizimin e një dokumenti, fatura mund të ishte 2 mijë lekë. 15 ditë pas publikimit në fletore zyrtare të këtij vendimi, ky shërbim do të faturohet bashkë me TVSH, pra me një shtesë prej 400 lekë dhe fatura do të jetë 2400 lekë. Nga kjo shumë, 400 lekë do të derdhen në buxhetin e shtetit si TVSH. Nga ana tjetër, qytetarët duhet që të marrin për shërbimin e ofruar edhe faturë tatimore me TVSH, apo kupon të prerë nga kasat fiskale. Kuptohet që këto profesione, nga blerjet dhe shpenzimet e veta kanë edhe TVSH të rimbursueshme, por deri tani shumica e shpenzimeve të profesioneve të lira nuk njihej si TVSH e shpenzuar nga tatimet. Sidoqoftë, një gjë është e sigurt për shërbimet e lira do të paguajmë më shtrenjtë. Në vendimin e Qeverisë, habitshëm, si profesione të lira listohen, dentisti, stomatologu apo dentisti i specializuar, edhe pse të tre këto emërtimi kryejnë të njëjtin shërbim. Sidoqoftë, më shtrenjtë do kushtojnë edhe punët e përfituara nga profesionet e tjera të lia, si arkitektët, ekspertët kontabël, apo projektuesit dhe inxhinierët. Por duke qenë se shërbimet e tyre nuk janë direkte për qytetarët, barra ere fikale pritet të mos ketë efekte direkte në çmimin final. Burime nga financat e justifikojnë këtë ndërhyrje me shtrirjen më të gjerë të Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar. Strategjia e financave është aplikimi në të gjithë skemën e biznesit të TVSH. Por efekti direkt që kjo taksë do të japë është mbi konsumatorin.

Vendimi i Qeverisë

Në vendimin nr.1058, datë 21.10.2009, të Këshillit të Ministrave, pas paragrafit të parë, shtohen paragrafët, si më poshtë vijon:
"Ndërsa, për tatimpaguesit që ofrojnë shërbime në veprimtaritë e mëposhtme, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) të jetë 2 000 000 (dy milionë) lekë, për vit kalendarik.
Veprimtaritë ekonomike
a) avokat, noter;
b) mjek i specializuar; dentist; dentist i specializuar; farmacist; infermier; mami; veteriner, arkitekt; inxhinier, stomatolog, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom;
c) ekspert kontabël, i regjistruar, dhe kontabilist, i miratuar;
ç) vlerësues i pasurisë.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›