E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, grabitet me dhune nje e moshuar 2 në pranga

LEZHË- Dy të rinj të moshës 22- vjeçare, banues në fshatin Shënkoll të rrethit Lezhë, u arrestuan në orët e para të mëngjesit të sotëm nga forcat e policisë, pasi akuzohen për grabitjen me dhunë të një të moshuare.
Sipas zëdhënësit të policisë së Lezhës, Armando Ndoka, "të arrestuarit janë Amaros Deda dhe Fatmir Lika, të cilët rreth orës 03.00 të ditës së sotme, në lagjen Radaj, të Komunës Shënkoll të rrethit Lezhë, të maskuar dhe me armë, kanë hyrë dhe kanë grabitur me dhunë banesën e shtetases Gj.Radi, rreth 70 vjeçe, duke e goditur me mjete të forta në kokë".
Sipas tij, në momentin e grabitjes e moshuara ndodhej e vetme në banesë, ndërkohë që pas marrjes së informacionit, menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të policisë, ku pas një pune të shpejtë dhe intensive, ato kanë arritur te arrestojnë dy të rinjtë e dyshuar për këtë ngjarje.
Pas kontrollit të ushtruar në banesën e këtyre shtetasve u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një automatik dhe një pistoletë që i mbanin pa leje, me të cilat mendohet se kanë kryer grabitjen.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›