Rrihet me shkop bejsbolli, në gjendje të rëndë 41-vjeçari
DURRËS Një 41-vjeçar, banor i qytetit të Durrësit, është në gjendje të rëndë për jetën, pas rrahjes barbare që ka pësuar dy ditë më parë. 41-vjeçari me iniciale A.K. është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të Durrësit, pasi mësohet se është rrahur nga një tjetër person, mbrëmjen e së dielës. Burimet e policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se për këtë ngjarje është arrestuar shtetasi Fredi Doka, 29 vjeç, banor i qytetit të Durrësit. Ngjarja ka ndodhur në fshatin ‘Rinia’, 10 km larg qytetit të Durrësit. Sipas të njëjtave burime, 41-vjeçari është goditur me thikë në trup nga 29-vjeçari Doka, për motive të dobëta. Pas goditjes me thikë, 29-vjeçari e ka qëlluar disa herë objektin e tij të sulmit edhe me shkop bejsbolli. Për këtë arsye, ai ka pësuar fraktura të shumta në trup si dhe plagë që janë shkaktuar nga goditja me thikë. 41-vjeçari është gjetur nga kalimtarë të rastit në gjendje të rëndë dhe është dërguar menjëherë në urgjencën e spitalit ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Burimet e policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se personi i dëmtuar ka marrë plagë të shumta në trup dhe për këtë arsye megjithë ndihmën e marrë nga mjekët, është akoma në rrezik për jetën. Efektivat policore të Durrësit kanë mundur të gjejnë agresorin e 41-vjeçarit, pas dëshmive që ai ka dhënë për këtë ngjarje. Policia ka bërë të ditur se pas arrestimit të 29-vjeçarit Fredi Doka, atij i është gjetur edhe shkopi i bejsbollit, me të cilin mendohet se është goditur sisa herë personi i dëmtuar. Policia nuk ka dhënë më shumë detaje për arsyen e këtij sulmi barbar, duke bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. A.K.