E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, Basha: Kemi përmbushur kriteret

“Marrëdhëniet Shqipëri-BE, në një stad më të lartë”

“PS-ja, qesharake, kundër heqjes së vizave”

* * * *

Ministri i Jashtëm Lulzim Basha jep siguri të plotë se Shqipëria ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave dhe këtë po e konfirmojnë çdo ditë edhe zyrtarët e lartë të BE-së. Kundrejt deklaratave të PS-së se Shqipëria ka humbur këtë shans, kryediplomati shqiptar i quan qesharake dhe pohon se procesi i liberalizimit të vizave është në rrugë të mbarë. Ai shtoi se marrëdhëniet Shqipëri-BE tashmë kanë hyrë në një stad më të lartë dhe se qeveria me reformat e saj do të realizojë shumë shpejt heqjen e vizave drejt vendeve të zonës “Shengen”. Që nga Brukseli, ku mori pjesë në takimin e parë midis Shqipërisë dhe vendeve anëtare të BE-së, Basha hodhi poshtë si trillime dhe mashtrime pretendimet e disa mediave që trumbetuan se Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që nuk do të përfitojë liberalizim vizash me BE-në. Ministri i Jashtëm vuri në dukje se nga Tirana, autoritete të larta të Bashkimit Evropian kanë vlerësuar se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret për të lëvizur pa viza në Bashkimin Evropian. “Kjo është një deklaratë e pavërtetë dhe një deklaratë qesharake. Është jashtëzakonisht qesharake për një deklaratë, aq më shumë që, po në Tiranë, zv.presidenti Barrot para pak ditësh deklaroi se Shqipëria është në rrugë të mbarë në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Po në Tiranë, ministri i Jashtëm italian, Frattini, deklaroi se Shqipëria i ka përmbushur kriteret për heqjen e vizave dhe se pajisja e qytetarëve me pasaportat biometrike përbën edhe hapin e fundit për të hequr vizat”, - u shpreh ministri i Jashtëm. Ai përmendi faktin se këto deklarata janë përsëritur në shumë vende, nga personalitete të ndryshme të BE-së, mes të cilëve edhe ministri i Jashtëm Kouchner. Basha vuri në dukje se deklarata e PS-së është në vazhdën e mashtrimeve të opinionit publik, ashtu siç ndodhi me marrjen e ftesës për në NATO, më pas me anëtarësimin e vendit në Aleancë, me aplikimin e vendit për në BE e me të gjitha proceset jetike madhore të integrimit dhe zhvillimit të vendit. “Në këtë deklaratë nuk ka asgjë të vërtetë, ashtu si nuk kishte asnjë të vërtetë edhe në deklaratat pak orë para marrjes së ftesës për në NATO, apo në deklaratat se Shqipëria rrezikon anëtarësimin në NATO, apo se Shqipëria nuk është gati të aplikojë për në BE. Edhe kjo deklaratë është e njëjtë, kuptohet është prag fushate elektorale. Shqipëria është në rrugë të mbarë në plotësimin e kritereve dhe ne do të realizojmë këtë objektiv madhor të qeverisë ‘Berisha’ dhe do të mundësojmë lëvizjen e shqiptarëve pa viza në hapësirën “Shengen””, - tha Basha gjatë një vizite që po zhvillon në Bruksel. Basha sqaroi dje ky është takimi i parë në këtë nivel dhe vjen si pasojë e rezultatit të ratifikimit të shpejtë të MSA-së dhe aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. “Është takimi i parë i Shqipërisë në këtë format, që është takimi i Bashkimit Evropian me Shqipërinë. Pas dy ngjarjeve madhore për Shqipërinë, siç është ratifikimi nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, kjo ishte dhe kontrata bazë mes Shqipërisë dhe BE-së dhe pas aplikimit nga Kryeministri Berisha për statusin e vendit kandidat në BE”, - tha Basha. Gjithashtu, ai theksoi se ky është një moment shumë i rëndësishëm kulmor, pasi marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian janë në stadin e tyre më të lartë historik, që do t’u paraprijnë edhe stadeve të tjera të rëndësishme, siç është anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në BE. Basha konfirmoi se gjatë takimit do të diskutohet për reformat kyçe në Shqipëri, siç janë reformat për krimin e organizuar, hapat që janë bërë për liberalizimin e vizave, çështje ekonomike, financiare kur Shqipëria vazhdon të vlerësohet si vendi me rritje më të madhe ekonomike në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Takimi do të mbahet nga presidenca e radhës çeke, më pas do të diskutohet edhe presidenca e ardhshme, ajo e Suedisë. “Jemi në një moment shumë të rëndësishëm, kur marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në janë në fazën e tyre më të lartë historike, që do t’u paraprijë dhe hapave të tjerë të rëndësishëm që do të çojnë në anëtarësim të plotë të Shqipërisë në BE. Gjatë këtij takimi do të diskutojmë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me aplikimin dhe implementimin e marrëveshjes së MSA-së, me përparimin e Shqipërisë në reformat kyçe, siç janë lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, mbi përparimin e Shqipërisë në të gjitha fushat në veçanti ato që kanë të bëjnë me hapjen e rrugës për liberalizimin e vizave, mbi çështjet ekonomike, financiare por dhe çështjet rajonale ku Shqipëria vazhdon të jetë në qendër të stabilitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor”, - deklaroi z. Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›