E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e Tiranës, Berisha: Me 28 qershor, e gjithë Shqipëria blu

“Do të shembim murin e korrupsionit të Ramës”

“Brenda një viti ndërtojmë unazën e Tiranës”

* * * *

Lideri i mazhorancës, Sali Berisha, u premton shqiptarëve se më 28 qershor, PD-ja do të shembë edhe murin e fundit që ka mbetur në Tiranë, atë që ai e quajti murin e ndërtuar nga Edi Rama me lejet e korrupsionit. Duke paralajmëruar fitoren blu në mbarë Shqipërinë, kreu i qeverisë përshëndeti dje zgjedhjet në degën e PD-së së Tiranës, fjalim të cilin ia kushtoi pothuajse kryeqytetit, ambicies së demokratëve për ta shndërruar atë në metropolin e vendit. Në kuvendin e PD-së për Tiranën, Kryeministri shprehu bindjen se më 28 qershor, fitorja e 2005-s do të zgjerohet. Shqiptarët, siç theksoi Berisha, në këtë përballje elektorale do të përsërisin fitoren historike, siç dhe e cilësoi atë të PD-së në 1992-shin. “Sot, - tha Kryeministri Berisha, - ne kemi startin e fuqishëm të fitores së ardhshme”. "Nga kjo konferencë ne zotohemi se do ta bëjmë Tiranën në çdo qelizë të saj blu dhe fitimtare. Sot ne zotohemi se fitoren e 2005-s do ta zgjerojmë në një masë të paimagjinueshme dhe se Tirana e 28 qershorit, për sa i përket votës, do të jetë Tirana e vitit '92", - deklaroi Kryeministri Berisha. Ai denoncoi politikat korruptive të kryebashkiakut Edi Rama, të cilit i bëri thirrje që të dorëzojë planin e unazës së re të kryeqytetit. Për këtë Berisha siguroi se qeverisja e djathtë do ta ndërtojë atë brenda një viti. “Ne, - tha ai, - synojmë ta zgjidhim në një kohë rekord problemin e trafikut në Tiranë”, teksa shtoi se për kryeqytetin qeveria në këto katër vite ka pesëfishuar grantin. Por ajo çfarë Berisha theksoi që në fillim të fjalës së tij para 820 delegatëve të PD-së së kryeqytetit ishte se vota e Tiranës 4 vjet më parë, shënoi kthesën historike për vendin. Një fakt që Kryeministri e përdori si arsye të fortë për të falënderuar qytetarët e Tiranës për votëbesimin. “Tashmë Tirana, - vuri në dukje Berisha, - është në një stad të ri, është kryeqyteti i vendit, anëtar i NATO-s, aplikant për statusin kandidat në BE si dhe shumë shpejt do të lëvizë pa viza në të gjithë Evropën. Qendra e djathtë shqiptare është lokomotiva e vërtetë e reformave, integrimit, prosperitetit dhe demokracisë, ndaj shpreh bindjen se fitorja e 28 qershorit do të jetë një fitore e madhe historike, që do të vendosë Shqipërinë në horizonte dhe nivele të reja. Me votën e saj 4 vite më parë, Tirana firmosi realizimin e projekteve të mëdha të qytetarëve të saj dhe mbarë kombit. Dua të përshëndes të gjithë ata që 4 vite më parë votuan për Shqipërinë e sigurt, për Shqipërinë, ku qytetarët e saj të enden të lirë dhe të qetë në rrugët e vendit, për një Shqipëri tjetër të paadministruar nga Nehat Kulla dhe bandat e tjera", - theksoi z. Berisha. Vota që qytetarët e Tiranës i dhanë kësaj mazhorance 4 vite më parë, sipas Kryeministrit Berisha, "është vota që e shndërron Tiranën në një metropol evropian, ashtu siç janë aspiratat e qytetarëve të saj". Në fjalimin e tij, Berisha sulmoi modelin me të cilin qeveris Edi Rama Tiranën. Kryeministri tha se në Tiranë mungojnë investimet e bashkisë, ndonëse qeveria ka pesëfishuar grantin për kryeqytetin. “Tirana këto 4 vite, - tha Kryeministri, - udhëhoqi vendin dhe kombin në reformat më të thella dhe transformuese në historinë e saj, të cilat bënë të mundur dyfishimin e rrogave dhe pensioneve”. Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi: “Në 4 vite janë realizuar reforma të mëdha historike, të cilat vendosën Shqipërinë në një horizont të ri dhe lartësuan emrin e saj më tepër se asnjëherë më parë”. "Ne e shndërruam vendin në një kantier të vërtetë ndërtimi dhe e bëmë Shqipërinë me një infrastrukturë tërësisht të re", - tha Kryeministri, duke u zotuar se "28 qershori do të shembë murin e fundit që ka mbetur në Tiranë, murin e ndërtimeve pa leje dhe korrupsionit". "Qytetarët e Tiranës duhet ta dinë se kjo qeveri ka 5-fishuar grantin për qytetarët e kryeqytetit dhe në këtë 5- fishim nuk përfshihen ndërtimet e mëdha, si nyja hyrëse e Kamzës, një nga më të bukurat që mund të ekzistojë dhe as rrethrrotullimi te sheshi “Rilindja”", - u shpreh Kryeministri. Duke siguruar se "qeveria është e vendosur t'i japë kryeqytetit infrastrukturën më moderne", Kryeministri i kërkoi kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që të dorëzojë projektin e unazës së madhe të Tiranës, të cilën "kjo mazhorancë është e gatshme ta përfundojë brenda 1 viti". "Ne do të zgjidhim në një kohë rekord problemet e trafikut të këtij qyteti dhe jemi të vendosur të nxisim biznesin dhe zhvillimin e tij në kryeqytetin e vendit. Kemi projekte për një seri parqesh industriale, që janë planifikuar në zonat përreth Tiranës, ku do të punësohen shumë qytetarë", - deklaroi z. Berisha.

Olldashi: Edhe 5700 qytetarë iu bashkuan PD-së

Në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit janë 5700 qytetarë që i bashkohen Partisë Demokratike. Procesi i ristrukturimit të PD-së solli një dyndje të madhe anëtarësimesh të PD-së. Sipas ish-kryetarit të PD-së së Tiranës, vetëm në këtë degë janë anëtarësuar 5 mijë qytetarë, mes të cilëve 30 për qind janë zonja dhe 2304 janë të rinj. Konferenca e PD-së, dega Tiranë, nisi punimet mesditën e djeshme në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, me pjesëmarrjen e Kryetarit të PD-së, Sali Berisha dhe drejtuesve të tjerë të lartë të kësaj partie. Kryetari aktual i degës së PD-së të Tiranës, Sokol Olldashi, në fjalën e tij e cilësoi këtë moment "një ngjarje të rëndësishme politike jo vetëm për PD-në, por për gjithë vendin". "2005-2009 është periudha më intensive në jetën politike të kryeqytetit. Dega e Tiranës ka dhënë një kontribut të qenësishëm në realizimin e premtimeve tona elektorale të vitit 2005, duke vënë në dispozicion të qeverisjes së Shqipërisë burimet njerëzore", - tha Olldashi.

“Prej disa muajsh, - tha ai, - ne kemi hyrë në procesin e riorganizimit statutor të degës dhe i gjithë ky proces dëshmon se PD-j mbetet në mënyrë të padiskutueshme një forcë e rëndësishme politike në vend. Janë 5 mijë qytetarë që gjatë procesit të ristrukturimit janë anëtarësuar në PD, ku 30% janë zonja, ndërsa 2304 janë të rinj që i bashkohen PD-së së Tiranës". Olldashi tha se "i gjithë ky proces dëshmon vetëm një gjë: që ne do të fitojmë në Tiranë dhe kudo".

Bumçi: Ja platforma ime për PD-në e Tiranës

Identitet politik, hapësira për njerëz të rinj dhe rikthim të kontribuuesve, nxitje të debatit politik, politika të reja për kryeqytetin dhe organizim të ri të degës së PD-së së Tiranës. Këto janë shtyllat kryesore ku Aldo Bumçi mbështet platformën e tij për drejtimin e degës më të madhe të PD-së. Ai radhiti tri shtylla kryesore, ku shquan krijimi i hapësirave për debat të gjerë të strukturave me publikun, për Tiranën. Kandidati për postin e kryetarit të degës së PD-së, Tiranë, Aldo Bumçi, vuri në dukje gjatë punimeve të konferencës së saj se "PD-ja e kryeqytetit do të jetë e hapur për të gjitha grupet e interesit". Duke e marrë fjalën në këtë konferencë, kandidati Bumçi deklaroi se "gjatë katër viteve të qeverisjes së saj PD-ja nuk u transformua nga pushteti, por ajo e përdori këtë pushtet për të ndryshuar jetën e shqiptarëve". Sipas tij, "PD-ja duhet të theksojë identitetin e saj politik, duke përfshirë në këtë proces çdo anëtar të thjeshtë". Ai publikoi drejtimet për organizimin e degës së PD-së në kryeqytet, përmes nxitjes së debatit politik. "Ne na duhet të krijojmë hapësirë publike për debat në degën e Tiranës, i cili të përfshijë çdo seksion të saj për t'i ripërtëritur politikisht strukturat tona. Dega e PD-së së Tiranës duhet të jetë e hapur për të gjitha grupet e interesit. Ajo, sidomos, duhet të lidhet me botën universitare, duke luftuar për nxitjen e liberalizmit politik, duke i ftuar të rinjtë të bëhen pjesë e vizionit politik", - tha Bumçi.

Bojaxhi: Pas dy vitesh, një demokrat në vend të Ramës

PD-ja do ta fitojë betejën elektorale të 28 qershorit dhe pas dy vjetësh, do të kthejë një demokrat në krye të Bashkisë së Tiranës. Këtë bindje shprehu dje Kandidati për postin e kryetarit të degës së PD-së, Tiranë, Gjergj Bojaxhi, sipas të cilit, PD-ja e Tiranës do të ofrojë modelin konkret të qeverisjes së qytetit, i cili në ndryshim nga modeli klientelist Rama, do të bazohet në aftësitë drejtuese dhe në integritet të pacenueshëm". Gjatë punimeve të konferencës së PD-së për degën e Tiranës, Bojaxhi u shpreh se "kryesia e PD-së së Tiranës duhet të jetë në vijën e parë të sulmit kundër lejeve të ndërtimit që kryebashkiaku Rama i jep në mënyrë jotransparente dhe klienteliste". “Ne duhet të jemi në vijën e parë të mbrojtjes së parqeve, në të cilën do të luajnë fëmijët tanë si dhe në vijën e parë të mbrojtjes së ajrit, i cili ndotet përditë", - theksoi Gjergj Bojaxhi. Sipas tij, "PD-ja e Tiranës duhet të kryesojë prerjen e të gjitha lejeve të paligjshme të kryebashkiakut Rama". "Kam bindjen e plotë se 28 qershori do të jetë një ditë e madhe për PD-në dhe gjithë Shqipërinë, pasi do të konfirmohet mbështetja e shqiptarëve ndaj kësaj mazhorance", - tha ai. Z. Bojaxhi shprehu gjithashtu bindjen se "ekipi i ri udhëheqës i PD-së së Tiranës, në bashkëpunim me kryesinë e partisë, do të bëjë një punë efikase për të fituar shumicën e deputetëve në kryeqytet.

Pernaska: Më 28 qershor, certifikojmë fitoren

Kandidatja për postin e kryetarit të PD-së, dega Tiranë, Lajla Pernaska, siguroi demokratët e kuvendit të 9 të degës së Tiranës se me platformën elektorale, PD-ja do të certifikojë edhe një herë fitoren e madhe të zgjedhjeve të vitit 2005, e cila do t'i shërbejë jo vetëm kryeqytetit, por gjithë Shqipërisë". Në fjalën e saj, znj. Pernaska, konkurrente në garën për kreun e PD-së së Tiranës, tha se "mazhoranca ka qartazi një aksion për qytetarët dhe zhvillimin e vendit. Por, nga ana tjetër, ka një tjetër model qeverisjeje për Tiranën, bazë e së cilës është pasioni për pushtet i Edi Ramës, pasioni për kapitale marramendëse dhe për uzurpim të opinionit publik dhe mediave".

“Rama, - tha ajo, - tashmë është përfshirë nga fobia e zgjedhjeve të qershorit, prandaj kërkon të baltosë në çdo vend dhe media progresin e këtij vendi”. Kandidatja Pernaska tha: "Zgjedhjet janë e ardhmja që po e ndërtojmë së bashku, me vlera që përfaqësohen me dinjitet nga PD-ja. Besoj në modelin e lidershipit të PD-së, në pasionin dhe angazhimin e tij". Ajo theksoi: "Me PD-në e Tiranës mazhoranca do t'i çojë më tej arritjet, për ta bërë degën e kryeqytetit forcën që ne duam". Pernaska bëri thirrje për t'i dhënë Tiranës, "modelin e munguar, nga një model qeverisjeje me bojatisje, betonim e abuzime që është sot, në një qytet që do të shpalosë gjithë potencialin e zhvillimit dhe vlerave të përbashkëta".

Kush është Aldo Bumçi

Deputeti dhe ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, ka lindur në 11 qershor 1974 në qytetin e Tiranës. Ai është diplomuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare (1993-1997) në Universitetin e Mesdheut Lindor (Eastern Mediterranean University), në Famagusta, Qipro Veriore. Në vitet 1997-1999, z. Bumçi ka kryer studimet pasuniversitare për Magjistër në Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Bilkentit në Ankara (Turqi). Ai ka marrë pjesë në disa kurse për shkencat politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilat janë organizuar nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare. Z. Bumçi ka ushtruar funksionet e ministrit të Drejtësisë nga shtatori i vitit 2005 deri në mars të vitit 2007. Ai është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë me 53.9% të votave në qarkun e Lezhës, gjatë legjislaturës XVII të Kuvendit të Shqipërisë, ku ka qenë edhe anëtar i disa komisioneve parlamentare. Z. Bumçi është njëkohësisht anëtar i Këshillit Kombëtar dhe i Kryesisë së Partisë Demokratike, si dhe anëtar i Komitetit të Orientimit të Politikave. Gjithashtu ai është autor ose bashkautor në disa botime për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe jurisprudencën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›