Rama shtyn kryesinë, cilët janë deputetët në dilemë
Deputetët socialistë vazhdojnë të jenë në dilemë nëse do të vazhdojnë karrierën politike me PS-në apo jo, dhe kjo varet vetëm nga firma e Edi Ramës. Megjithëse ishte vendosur për t’u zhvilluar dje mbledhja e kryesisë së kësaj partie, Rama e shtyu atë për 24 orë të tjera, duke lënë pezull shumë emra që nuk e kanë akoma të sigurt hyrjen në listat e PS-së. Burime nga PS bëjnë të ditur se mbledhja e parashikuar për dje u shty duke marrë shkas nga vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të shtyrë afatin e regjistrimit të kandidatëve. Rama ka shfrytëzuar këtë mundësi për t’i dhënë vetes dhe 24 orë afat, për të vendosur mbi ata emra që i ka akoma me pikëpyetje dhe këtu bëhet fjalë pikërisht për deputetët aktualë, ndërkohë që ai ka marrë tashmë vendim për t’u dhënë mundësinë shumë prej të rinjve që kanë ardhur në PS së fundmi, shumica teknicienë pa karrierë politike, që të bëhen përfaqësuesit politikë të rinj të partisë më të madhe opozitare. Ndërkohë, ankthi që ka nisur prej kohësh në grupin e deputetëve vazhdon dhe sot. Shumë prej tyre rrinë dhe diskutojnë bashkë, kërkojnë ndonjë takim me Ramën ose i fusin ndonjë “mik” për të mësuar ndonjë të re. Në dilemë janë shumë deputetë në disa legjislatura, por që njihen si njerëz të afërt të Fatos Nanos ose si kundërshtarë të Ramës. Gazeta “standard” ka botuar para pak ditësh listën provizore të kandidatëve për deputetë të PS-së, ku mungojnë shumë nga emrat e njohur të partisë, si ish-kreu Fatos Nano, Ylli Bufi Bashkim Fino, Elmaz Sherifi, Vangjel Tavo, Pilo Kerri, dhe Luan Memushi, si dhe shumë deputetë të tjerë, të cilët ose s’do jenë fare në listë, ose do jenë në fund të saj, duke mos u dhënë shumë mundësi për të fituar. Shtyrja në kohë i ka dhënë mundësi Ramës që t’u mbajë “gojën mbyllur” pakënaqësive dhe të shmangë mundësitë që mund të shkojnë në listën e koalicionit tjetër opozitar të drejtuar nga Ilir Meta.