PD: Zgjedhjet, qytetarët i dhanë përgjigjen më të mirë Edi bojkotit
Partia Demokratike vlerësoi zgjedhjet e pjesshme vendore të zhvilluara dje në 5 njësi vendore, duke deklaruar në të njëjtën kohë se qytetarët i dhanë një përgjigje bojkotit të Edi Ramës. Sipas PD-së, qytetarët shkuan në këto zgjedhje në mënyrë masive. “PD përshëndet qytetarët e të gjitha njësive administrative që votuan sot, të cilët shkuan pranë qendrave të votimit për të shprehur vullnetin e tyre në zgjedhjen e krerëve të tyre lokalë. Sot në pesë bashki e komuna kanë marrë pjesë 13419 votues, përkundrejt shifrës prej 16999 votues të vitit 2007 ose 78% e numrit te votuesve që morën pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2007. Me këtë pjesëmarrje të lartë qytetarët shqiptarë i dhanë përgjigjen më të mirë Edi bojkotit dhe thirrjeve të tij”, - deklaroi zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli. PD publikoi edhe shifrat e pjesëmarrjes në krahasim me zgjedhjet e vitit 2007. “Në njësitë administrative të sipërpërmendura kanë marrë pjesë përkatësisht: në njësinë bashkiake nr. 10, 4315 votues; kundrejt 5184 votues qe kanë votuar gjithsej në zgjedhjet lokale të 2007-s. Në komunën Otllak, 3166 votues; kundrejt 4695 votuesve që kanë votuar gjithsej në zgjedhjet lokale të 2007-s. Në Bashkinë Klos, 3580 votues; kundrejt 4370 votuesve që kanë votuar gjithsej në zgjedhjet lokale të 2007-s. Në Bashkinë Fushë-Arrëz, 1380 votues; kundrejt 1800 votuesve që kanë votuar gjithsej në zgjedhjet lokale të 2007-s. Në komunën Fierzë, 973 votues; kundrejt 950 votuesve që kanë votuar gjithsej në zgjedhjet lokale të 2007-s”, - thuhej në deklaratën e PD-së.