E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Liberalizimi i vizave duhet përshpejtuar”

20/02/2009  Presidenti Turk takon Berishën, Ramën, Topallin

“Lëvizja e lirë është një e drejtë njerëzore dhe unë shpresoj që BE-ja të njohë arritjet impresionuese të Shqipërisë, në mënyrë që të përshpejtojnë me procesin e liberalizimit të vizave”, - u shpreh dje Presidenti slloven Danilo Turk gjatë takimeve të zhvilluara me autoritetet shqiptare. Por krahas bisedave zyrtare me Kryeministrin Sali Berisha, Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës Edi Rama, Presidenti Turk është përballur edhe me një surprizë nga stafi i Bashkisë: gjatë vizitës së zhvilluar në Bashki, ku është pritur nga kryebashkiaku Rama, Presidentit slloven jo vetëm i është dhuruar “Çelësi i Tiranës”, por edhe një tortë me rastin e ditëlindjes së tij. Kjo duket se ka befasuar jo pak Presidentin slloven, të cilit iu desh të festonte 57-vjetorin e lindjes gjatë një vizitë zyrtare në Tiranë.

Takimet

Gjatë takimit me Kryeministrin Berisha, Presidenti i Sllovenisë Turk tha se “Shqipëria tashmë e ka kaluar periudhën e tranzicionit dhe po përjeton integrimin euroatlantik, si një proces të nevojshëm, në të cilin keni të gjithë mbështetjen dhe ndihmën e Sllovenisë”. Ai shprehu gjithashtu mbështetjen për të gjitha reformat dhe përpjekjet e Shqipërisë për integrim dhe për t’iu afruar standardeve të BE-së. Në lidhje me klimën e krijuar në Shqipëri për thithjen e investimeve të huaja Turk u shpreh se biznesi slloven duhet të jetë sot shumë më prezent në Shqipëri për vetë kushtet e mira që qeveria ka krijuar. “Është kjo arsyeja që në këtë vizitë në Shqipëri erdha me një delegacion shumë të madh biznesmenësh sllovenë”, - tha Turk. Gjithashtu ai tregoi interes për projektin e gazsjellësit trans-Adriatik (TAP), si projekti më efikas dhe më i leverdishëm për furnizimin me gaz. Por kreu i shtetit slloven u interesua edhe për projektin e ndërtimit të një centrali rajonal të energjisë nukleare, që do të përfshijë vende të rajonit. Nga ana e tij Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të reformave të ndërmarra nga qeveria, sidomos në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. “Shqipëria doli nga 24 vendet më të korruptuara, duke lënë mbrapa 95 vende në klasifikim dhe synojmë të jemi ndër 20 vendet e para në luftën kundër informalitetit, ndërmarrjen e një revolucioni fiskal, si rezultat i të cilit Shqipëria është sot vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë dhe në saje të këtyre përpjekjeve vendi ka shënuar rezultate të mëdha në rritjen e ardhurave, në përmirësimin e klimës së biznesit etj.”, - tha Berisha. Më tej Presidenti Turk ka zhvilluar një takim me Kryetaren e Kuvendit Topalli, ku ka theksuar se ecuria e Shqipërisë dhe reformat e saj janë impresionuese dhe inkurajuese. Turk tha se Shqipëria tashmë ndodhet në një fazë të re të integrimit në NATO dhe BE. “Kemi dy dekada që bashkëpunojmë dhe më vjen mirë që marrëdhëniet ekonomike po vihen në fokus”, - tha Presidenti slloven. Axhenda e takimeve të kreut të shtetit slloven ka vijuar me një vizitë në Bashkinë e Tiranës, ku ka zhvilluar një takim me kryebashkiakun Rama. Ky i fundit i ka dhuruar Presidentit Turk “Çelësin e Kryeqytetit”, një shenjë vlerësimi që kryetari i Bashkisë rezervon për njerëz të shquar e vizitorë të nderuar të Tiranës. Turk ka vlerësuar pozitivisht punën dhe përpjekjet që kryebashkiaku Rama ka bërë për transformimin e kryeqytetit shqiptar, duke e përgëzuar atë për rezultatet e arritura dhe ndryshimet e dukshme që vihen re në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›