E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, pritet raporti i vjeshtës

25/05/2009  BE do diskutojë sot raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor

Bashkimi Evropian do të diskutojë sot mbi raportin shumëfaqësh lidhur me ambicien e vendeve të Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Shqipëria, për procesin e liberalizimit të vizave. Anëtarët e 27 vendeve anëtare do të diskutojnë mbi 600 faqe, të cilat trajtojnë përmbushjen e detyrimeve nga shtete si Maqedonia, Shqipëria, Bosnja, Mali i Zi apo dhe Serbisë. Mbi to do të debatohet për të parë se cilat vende kanë bërë progresin e kërkuar dhe cilat kanë ende rrugë për të bërë. Ndërkohë deri tani shanset më të mira për liberalizimin sa më shpejt të vizave me BE-në e ka Maqedonia, Shqipërisë i duhet të kalojë testin e ardhshëm: atë të realizimit sipas standardeve ndërkombëtare të procesit të ardhshëm zgjedhor. Në këtë mënyrë, dhe pse raporti përmban konstatime krahasuese mes muajit nëntor 2008 e maj 2009, për vendin tonë do të ketë një raport të dytë, i cili do të hartohet nga vjeshta e këtij viti për të arritur në një konkluzion sa më qartë e të duhur për përpjekjet e qeverisë shqiptare në realizimin e reformave në vend. Kjo stinë përkon me periudhën paszgjedhore të Shqipërisë, pasi të kenë përfunduar në vendin tonë zgjedhjet e përgjithshëm parlamentare të 28 qershorit. Këto zgjedhje, siç janë cilësuar jo vetëm nga autoritet e larta ndërkombëtare, por edhe ato shqiptare, do të përbëjnë një test të rëndësishëm për vendin tonë dhe aspiratën tonë evropiane. Autoritetet shqiptare shprehen optimiste për këtë proces. Vetë ministri i Jashtëm Lulzim Basha që nga Brukseli, pas pjesëmarrjes në takimin e parë midis Shqipërisë dhe vendeve anëtare të BE-së disa ditë më parë, dha siguri të plotë se Shqipëria ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Ai shtoi se marrëdhëniet Shqipëri-BE tashmë kanë hyrë në një stad më të lartë dhe se qeveria me reformat e saj do të realizojë shumë shpejt heqjen e vizave drejt vendeve të zonës “Shengen”. Raporti për Ballkanin Perëndimor do të diskutohet nga përfaqësuesit e Ministrive të Brendshme të shteteve evropiane, çka do të thotë se vlerësimi për secilin vend të Ballkanit Perëndimor do të jetë më i matshëm. Ky lloj vlerësimi është i ndryshëm nga ai që do të mund të konsumonin Ministritë e Jashtëm, të cilët do ta trajtonin procesin në aspektin politik dhe diplomatik.

Siguria

Kreu i diplomacisë shqiptare Lulëzim Basha vlerëson se vendi ynë ndodhet në një fazë shumë të rëndësishme, kur marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në janë në nivelin më të lartë historike, që do t’u paraprijë hapave që do të çojnë në anëtarësimin e plotë në BE.

Mbështetja

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Moratinos, vendi i të cilit do të ketë presidencën e radhës më 2010-n, disa ditë më parë garantoi se Spanja do të lehtësojë konsensusin europian për liberalizimin e vizave, në mënyrë që regjimi i lirë i vizave të bëhet realitet sa më shpejt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›