E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Shqipëria po ndryshon për njerëzit e Berishës

25/05/2009  Kreu i PS-së vijon turin elektoral në Bilisht

Prezantohen pikat e programit me të cilat socialistët pretendojnë të fitojnë zgjedhjet

Kreu i PS Edi Rama ka vijuar dje turin e takimeve në Bilisht, rrethi i Devollit. Në një takim me simpatizantët e këtij qyteti Rama prezantoi shtatë shtyllat kryesore të Partisë Socialiste. “Do të sjellim ndryshimin e shumëpritur, - tha Rama, - që nga tryeza e bukës deri te cilësia e jetesës.” Kryesocialisti premtoi se PS-ja nuk do të lejojë më që Shqipëria të zvarritet, por do të ecë me ritme të reja dhe me zhvillim të ri. Nga Bilishti lideri i opozitës vuri gishtin mbi oborrin kryeministror, duke thënë se është i vetmi grup njerëzish që jeton në një Shqipëri që po ndryshon. “Pasi ju gënjeu, Sali Berisha kërkon që të jeni edhe të lumtur. Është e vërtetë se Shqipëria po ndryshon, por po ndryshon për një grusht njerëzish, të cilët sot janë shumë më të pasur, të cilët sot jetojnë shumë më mirë, që i kanë zgjidhur të gjitha problemet e tyre. Këta janë njerëzit e familjes së kryeministrit. Jashtë atij oborri jeton një Shqipëri tjetër, e cila mezi arrin fundin e muajit, e cila sot katër vjet më vonë me rrogat e dyfishuara të Sali Berishës ble dy herë më pak se katër vjet më parë”, u shpreh Rama. Kreu socialist tha se Shqipëria përballet me dy realitete: një që ka mundësi të mjekohet dhe një që nuk merr as shërbimin shëndetësor elementar. Duke u ndalur po në këtë fushë, Rama premtoi ngritjen e një shërbimi shëndetësor universal, që do të shërbejë për të gjithë, pavarësisht kontributeve të paguara ose jo të sigurimeve shëndetësore. “Pas 28 qershorit do të ketë vetëm një Shqipëri: Shqipëria e qytetarëve dhe qytetareve pa dallim, të cilët do të kenë pranë shërbimin shëndetësor kombëtar, që do t’u shërbejë të gjithëve, qofshin të pasur apo të varfër. Partia Socialiste nuk hyn në garë vetëm për të fituar, por për të ndryshuar Shqipërinë”, - theksoi kreu i PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›