E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizmi i vizave brenda vitit të parë të mandatit të dytë

05/05/2009  Kryeministri Berisha në Vlorë, bastion i së majtës

Shqiptarët do të mund të udhëtojnë lirshëm drejt vendeve të Bashkimit Europian - ky është premtimi që ka dhënë Kryeministri Sali Berisha gjatë takimit të tij me qytetarë të Vlorës. Kreu i qeverisë ka vënë theksin në faktin se gjatë mandatit të dytë qeverisës liberalizimi i vizave do të jetë objektivi kryesor për t’u arritur. Ai ka kujtuar se anëtarësimi i vendit tonë në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) përbën arritjen më të madhe të qeverisë dhe mazhorancës politike që ai drejton pas shpalljes së pavarësisë. “Vlora dhe mbarë Shqipëria do të jenë një herë e përgjithmonë të sigurta, do të ndërtojnë të ardhmen të lirë, dinjitoze, ashtu siç e meritojnë. Së shpejti së bashku do t’i shndërrojmë ëndrrat në realitet. Ne kishim si ëndërr anëtarësimin në NATO dhe e arritëm atë. Ne kishim ëndërr anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe sot jemi më afër se kurrë. Ne kishim ëndërr lëvizjen e lirë dhe sot jemi më afër se kurrë”, - ka deklaruar shefi i ekzekutivit gjatë takimit të zhvilluar në pallatin e sportit të qytetit bregdetar. Duke iu drejtuar qytetarëve të Vlorës, Berisha ka thënë se pikërisht pas anëtarësimit në NATO Shqipëria paraqiti kërkesën për anëtare në BE. “Vlora dhe Shqipëria kishin shekuj që prisnin këto dy data. Këto dy data sot janë realitet. Liberalizimi i vizave brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë është objektivi ynë, është premtimi ynë, dhe ne do ta mbajmë atë”, - theksoi ai. Kryeministri Berisha është shprehur i bindur në fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit nga koalicioni i djathtë politik në një ndër qytetet që vlerësohet si bastion i partive të spektrit të majtë politik. Ai ka deklaruar se gjatë mandatit të dytë të qeverisjes së vendit do të punohet që ëndrrat të shndërrohen në realitet. “Ne do të punojmë së bashku për mandatin tonë të dytë, për mandatin tuaj, mandatin e ëndrrave më të bukura të shqiptarëve, mandatin e horizonteve të reja, të ëndrrave të shndërruara në realitet, mandatin e Vlorës metropol europian, mandatin lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë, mandatin e shkollimit më të mirë të të rinjve shqiptarë, mandatin e një Shqipërie tjetër, një Shqipërie europiane”, ë- deklaroi kreu i qeverisë. Kryeministri ka deklaruar se Vlora çdo ditë e më shumë po shndërrohet në një metropol evropian të Shqipërisë. Ai tha se Vlora është tashmë në rrugën e pakthyeshme drejt zhvillimit dhe modernizimit për një jetë më të mirë për qytetarët e saj. “Vlora është sot epiqendër turistike kryesore e vendit. Vlora ka sot një nga qendrat universitare më të fuqishme të vendit, ajo ka sot burimin e vet energjetik”, - tha Berisha. Ai premtoi se në qytetin e Vlorës do të ndërtohet një prej porteve me të mëdha të Mesdheut, i cili punëson jo më pak se 50 mijë qytetarë të Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë. Gjithashtu Berisha tha se qyteti bregdetar juglindor do të ketë edhe aeroportin e vet.

Arsimi prioritet

Kryeministri Berisha ka deklaruar gjatë takimit në Vlorë se në katër vjetët e ardhshëm, që do të shënojnë mandatin e dytë të qeverisjes së koalicionit të partive të djathta, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet arsimit. “Në katër vjetët që vijnë arsimi do të jetë përparësia jonë më madhore. Në katër vjetët që vijnë nuk do të ketë të ri që mbaron shkollën 9-jeçare që të mos vazhdojë shkollën e mesme, në rast se ai dëshiron; nuk do të ketë të ri që mbaron shkollën e mesme dhe nuk vazhdon universitetin, në rast se ai dëshiron”, - ka thënë shefi i ekzekutivit. Berisha tha se gjatë katër vjetve të fundit u mundësua trefishimi i numrit të studentëve: nga 52 mijë në 150 mijë. Ai premtoi se gjatë mandatit të dytë ky numër do të arrijë në 160 mijë studentë.

Zhvillimi

Kreu i qeverisë ka deklaruar se Vlora po bëhet çdo ditë e me shumë metropol europian i Shqipërisë. Berisha ka evidentuar faktin se qyteti bregdetar është shndërruar në epiqendrën turistike kryesore të të gjithë vendit. “Shqipëria është sot kantier ndërtimi nga Konispoli në Valbonë, nga Morina e Kukësit, në Qafëplloçë, në Levan, në Vjosë e kudo. Vlora së shpejti do të nisë punimet për njërin prej porteve më të mëdha të Mesdheut, port i cili punëson jo më pak se 50 mijë qytetarë të Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë. Ai tha se në këta vjet janë firmosur me dhjetëra kontrata, të cilat punësojnë dhjetëra e mijëra punëtorë, specialistë, ekspertë. “Ndaj dhe ne do të punojmë me përkushtim, do të bëjmë çdo gjë për punësimin tuaj”, - tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›