E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libi, protestuesitrrethojnë Tripolin

TRIPOLI- Janë orë vendimtare për regjimin e Muamar Gadafit në Libi. Rrethi përqark kolonelit sa vjen e po ngushtohet, pasi kryeqyteti libian Tripoli është rrethuar si nga lindja dhe nga perëndimi nga protestuesit, ndërsa tashmë kanë rënë në duart e rebelëve qytetet Zuara dhe Misurata. Raportet e fundit që vijnë nga Tripoli, flasin për përleshje të zjarrta mes protestuesve dhe forcave të sigurisë që kanë rrethuar kryeqytetin. Kombet e Bashkuara deklarojnë ndërkohë se raportet brenda vendit flasin për mijëra të vrarë në ditët e fundit. Përreth Tripolit, një brigadë elite e komanduar nga djali i kolonelit Gadafi besohet se po drejton shtypjen e revoltës. Ndërkohë në Gjenevë, Këshilli i të Drejtave të Njeriut ka nisur një takim special për herë të parë për të diskutuar mbi krizën në Libi, pasi disa anëtarë kanë kërkuar që vendi të përjashtohet nga ky organizëm.

Ndërkohë Bashkimi Europian po tenton të gjejë një përqasje të shpejtë dhe të koordinuar për t’i dhënë fund dhunës në Libi. Lajmi bëhet i ditur nga vetë shefja e diplomacisë europiane Kethrin Ashton, pas takimit që pati sot me ministrat e mbrojtjes së vendeve anëtare të BE-së. Ashton tha se prioriteti kryesor i BE-së është që të evakuojë sa më shpejt 2 mijë shtetasit europianë. Programi botëror i ushqimit i OKB-së deklaron se zinxhiri ushqimor i furnizimit me ushqime në Libi është në rrezik pasi importet nuk mbërrijnë më në vend për shkak të dhunës. Edhe ambasadorët e NATO-s aktualisht janë duke zhvilluar një takim emergjent për situatën në Libi, por Sekretari i Përgjithshëm, Anders Fog Rasmusen tha se Aleanca nuk ka ndërmend të ndërhyjë ushtarakisht në Libi.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›