Librazhd, 40 të rinj i bashkohen FRPD-së

Nënkryetarja e Forumit Rinor të PD, Greta Koçi, takon të rinjtë e qytetit
Qyteti i Librazhdit ishte ndalesa e radhës dje për nënkryetaren e FRPD-së Greta Koçi, e cila prej disa javësh ka nisur takimet me të rinjtë në të gjithë Shqipërinë. Emër i njohur dhe i dashur i skenës shqiptare, Greta Koçi po tregon se është jo vetëm zëdhënëse e interesave të të rinjve shqiptarë, por edhe nismëtare e integrimit të tyre real në strukturat e pushtetit vendor. Në takimin me kryebashkiakun e Librazhdit Shefki Çota, nënkryetarja e FRPD, Greta Koçi diskutoi veç të tjerash edhe për problemet kryesore që shqetësojnë rininë. Nënkryetarja e FRPD i ka kërkuar kreut të Bashkisë të fokusohet te rinia, e cila në Librazhd ka shumë nevojë për vëmendje e përkrahje. Përkushtimi dhe pasioni i znjsh. Koçit në lidhje me të rinjtë, ka befasuar kryebashkiakun, i cili pas sugjerimit të numrit dy të FRPDSH, menjëherë urdhëroi administratën e tij, të marrë në punë një të ri jetim, i cili i kërkoi Gretës që ta ndihmonte, duke qenë pjesë aktive e të rinjve demokratë të Librazhdit.
Takimet kanë vijuar me drejtuesin e degës lokale të PD-së, ku Greta i kërkoi që harmonizimi dhe bashkëpunimi mes degës demokrate dhe FRPD-së të jetë i vazhdueshëm, si një garanci për fitore në çdo përballje elektorale. Në të njëjtën linjë ishte edhe bashkëbisedimi i nënkryetares së FRPDSH edhe me deputetin e zonës Rrahim Çota, ku përveç diskutimit në tërësi për ndryshimet e thella që ka pësuar Librazhdi pas vitit 2005, u diskutua për integrimin e gjithanshëm të të rinjve, veçanërisht atyre të zonave të thella malore të këtij rrethi.
“Ata duhet të ndjehen pjesë e zhvillimit, politikës, vendimmarrjes por edhe argëtimit”, ka sugjeruar Koçi.
Qershia mbi tortë e takimeve ishte shtimi i radhëve të FRPD-së Librazhd me 40 demokratë të rinj nga radhët e rinisë vendase. Tashmë si një artiste e spikatur, Greta mblodhi rreth vetes në një ‘party’ të rinjtë e Librazhdit, duke kënduar e kërcyer së bashku.
Në fund të kësaj mbrëmje, kryebashkiaku i Librazhdit deklaroi se më 28 dhjetor, bashkë me Gretën, do të organizojnë në shesh një koncert madhështor me artistët më të mirë të Shqipërisë.
...