Libri / Një leksion që xhiroi botën
I cilësuar si një nga 100 njerëzit më me influencë në botë, Prof. Randy Pausch vjen në shqip nga Shtëpia Botuese “Pegi” përmes librit “Leksioni i Fundit” . Një profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin Carnegie Mellon, Randy F. Pausch e priste që studentët e tij t’i kushtonin rëndësi mbajtjes së leksionit të tij, por kurrë nuk priste që ta dëgjonte pjesa tjetër e botës. Sot rreth 10 milionë njerëz kanë ndryshuar në saj të leksioneve të fundit të Dr. Paushit, për Kapiten Kirkun, gravitetin zero dhe përmbushjen e ëndrrave të fëmijërisë. Fjalimi 70-minutësh në faqen e internetit është përkthyer në shtatë gjuhë të huaja. “E gjitha kjo është shumë e çuditshme”, është shprehur vetë Paush. “Unë thjesht mbajta një fjalim. Unë kam dhënë shumë fjalime përgjatë gjithë jetës sime”. Por sigurisht nuk ishte thjesht një fjalim. “Të mos e injorojmë të dukshmen,” tha ai. “Nëse unë do të kisha dhënë një leksion dhe nuk do të isha në prag të vdekjes, nuk do të kishte pasur të tillë peshë. Konteksti përbën ndryshimin”. Dr. Pausch ka vdekur nga kanceri në pankreas, një sëmundje që vret 95 për qind të viktimave të tij, zakonisht brenda muajve të parë të shfaqjes së saj. Leksioni nuk ishte për kancerin, por një përpjekje për të lënë këshilla për gjithë jetën, për fëmijët e tij. Një leksion që ai nuk e dinte se do të bënte xhiron e botës.