E Diel, 1 Nëntor 2026

“Përgjaket” derbi, sherr masiv mes futbollistëve

 Ka përfunduar në mënyrën më të keqe të mundshme derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Dinamos. Protagonistë kanë qenë dy lojtarët më të mirë të skuadrave respektove, Devi Muka dhe Elis Bakaj, por jo vetëm. Mes tyre kanë hyrë edhe Kuli, Sefa, Osmani e deri trajneri i Tiranës, Alban Tafaj. Incidenti ka nisur q ënë fushën e lojës në minutat e fundit të takimit. Kapiteni Muka, pas një ndërhyrje të ashpër nga Kuli replikon me të. Pas zënkës me Kulin kapiteni bardheblu fillon të shahet me Bakajn. Të dy lojtarët lëshojnë ofendime në drejtim të njëri-tjetrit duke kaluar deri në goditje me grushta. Muka ka gjuajtur Bakajn, teksa ky i fundit luan edhe pak teatër duke u shtrirë në tokë. Ky xhest i mesfushorit dinamovit e ka acaruar më shumë kapitenin bardheblu. Në këto çaste Bakaj ngrihet dhe tenton ti gjuaj Mukës, por kanë ndërhyrë lojtarët për të ndalur gjithçka. Nuk mbaron me kaq. Kapiteni bardheblu i ka lënë takim jashtë fushe për sqarime sipas fjalëve dhe shenjave të bëra. Sapo ka mbaruar ndeshja ka nisur një sherr masiv ku janë përfshirë thuajse të gjithë futbollistët dhe pankinat. Më të dëmtuarit nga ky mega-sherr janë Muka dhe Bakaj, që të dy të gjakosur. Por dinamoviti përfundon direkt e në spital me një hematomë në kokë. Gjendja e tij deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ishte jo shqetësuese për shëndetin. Gjithsesi derbi i nisur në mënyrë gati festive rezultoi një skandal i vërtetë për futbollin shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›